Forcat ruse kanë kryer dhjetëra sulme në rajonet lindore të Ukrainës, teksa ushtria e Kievit ka raportuar se forcat ukrainase kanë zmbrapsur 60 sulme gjatë ditës së kaluar.
Shtabi i Përgjithshëm ukrainas tha se ushtria ruse ka vazhduar të shënjestrojë lindjen e Ukrainës, me fokus në qytetet e Limanit, Bahmutit, Avdijivkës dhe Marinkës, në rajonin e Donjeckut.
“Gjatë 24 orëve të kaluara, armiku ka lëshuar dy raketa dhe 35 sulme ajrore dhe ka kryer mbi 40 sulme me raketahedhës”, tha ushtria e Ukrainës.
Ushtria ukrainase tha gjithashtu se forcat ruse në rajonet e Zaporizhjës dhe Khersonit po bëjnë përgatitje për atë që Kievi e quan evakuim të civilëve për në Krimenë e pushtuar nga Rusia.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar ushtrinë e tij që të marrë kontrollin e plotë të Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhjës dhe Khersonit, zona që Rusia pretendon se ka aneksuar në mënyrë të paligjshme. Ukraina pritet që të nisë së shpejti një kundërofensivë kundër trupave ruse, për të rimarrë kontrollin e territoreve.
Sulmet e reja vijnë në mes të raportimeve se forcat pushtuese ruse kanë shënuar përparime në Bahmut. Më 7 prill, zyrtarët ushtarakë britanikë thanë se forcat ruse ka të ngjarë të jenë futur në qendrën e qytetit dhe kanë marrë kontrollin e bregut perëndimor të lumit Bahmutka.
Fushata tetëmujore e Rusisë për të marrë Bahmutin dhe rezistenca e Ukrainës, ka çuar në betejën më të gjatë dhe ndoshta më të përgjakshme që kur Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Ndërkaq, Ministria britanike e Mbrojtjes tha se përpjekjet e Rusisë për të “dëmtuar seriozisht” infrastrukturën energjetike të Ukrainës “ka të ngjarë që kanë dështuar”.
“Rusia ka kryer sulme që nga tetori i vitit 2022, por sulmet në shkallë të gjerë kanë qenë të rralla që nga fillimi i marsit 2023”, tha ministria./abcnews.al