Federata e Futbollit e Serbisë ka premtuar përkrahje maksimale për të ashtuquajturën “Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë”, pasi Policia e Kosovës ndaloi aktivitetet ilegale të Serbisë në territorin e Kosovës.
E ashtuquajtura “Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë” ka disa shoqata në vartësi.
“Qëndrojmë fuqishëm përkrah Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Metohisë. Do t’i ofrojmë përkrahje maksimale në përputhje me mundësitë tona dhe për këtë çështje bashkëpunojmë ngushtë me organet shtetërore të Republikës së Serbisë”, thuhet në një përgjigje të Federatës së Futbollit të Serbisë.
Qeveria serbe deklarohet pas vendimit për të ndaluar garat ilegale të Serbisë në Kosovë
Ministri i Sportit në Qeverinë e Serbisë, Zoran Gajiq, e ka vlerësuar të padrejtë vendimin e Policisë së Kosovës për të ndaluar garat ilegale të Serbisë në territorin e Kosovës.
Policia e Kosovës ka ndaluar aktivitetet ilegale të Serbisë në Kosovë, pasi javën e kaluar nisi e ashtuquajtura “ligë e Anamoravës në futboll”. Për këtë shkroi KOHA e më pas reagoi edhe FFK-ja.
“Njoftimi nga policia e atjeshme se ndalohen organizimi i ndeshjeve që nuk janë të federatave sportive të ashtuquajturit shtet të Kosovës, është akt i presionit politik dhe nuk ka asnjë lidhje me sportin. Ministrisë së Sportit i takon të vazhdojë të ndihmojë sportin në jug të Serbisë dhe që të luftojmë për popullin tonë në Kosovë e Metohi, luftë që e udhëheq presidenti Aleksandar Vuçiq, e që e ka përkrahjen e të gjithëve”, ka thënë Gajiq për agjencinë e lajmeve Tanjug.