Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka nominuar Remzi Mehmedin për përfaqësues të grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, informojnë nga kjo parti për MIA-n.
Më herët, Darko Kaevski, deputet dhe zëdhënës i LSDM-së në konferencë shtypi bëri të ditur se partia ka caktuar Cvetanka Ivanovën për përfaqësuese të grupit të punës për ndryshimet kushtetuese.
Afati për nominimin e përfaqësuesve të grupit të punës për ndryshime në Kushtetutë që Ministria e Drejtësisë ua drejtoi institucioneve dhe partive politike skadon sot.
Përveç partive politike parlamentare në grupin e punës në Ministrinë e Drejtësisë përfaqësues të tyre duhet të nominojnë edhe nga kabineti i presidentit të shtetit, Ministria e Punëve të Jashtme, Sekretariati për Çështje Evropiane dhe ekspertë të fushës të së drejtës kushtetuese.
Derisa gjatë fundjavës që kaloi u publikuan disa nga emrat e mundshëm të anëtarëve, një pjesë e partive politike në shkresën e Ministrisë së Drejtësisë u përgjigjën negativisht. VMRO-DPMNE, Alternativa, E Majta, PSM dhe Lidhja Demokratike informuan se nuk do të marrin pjesë në grupin e punës.