Publikimi i dokumenteve të cilësuara si “secret” dhe “top secret” në rrjetet sociale, paraqet rrezik “shumë serioz” për sigurinë kombëtare. Paralajmërimi vjen nga Pentagoni, pasi dokumentet e klasifikuara përfshijnë informacione të ndjeshme në lidhje me luftën në Ukrainë, për Kinën si dhe aleatët e SHBA-së.
Departamenti i Drejtësisë ka filluar ndërkohë një hetim për nxjerrjen e të dhënave.
Materialet, të cilat kanë qarkulluar në faqe të ndryshme të mediave sociale, sipas ndihmës sekretarit të mbrojtjes, Chris Meagher, kanë potencialin të përhapin dezinformim.
CHRIS MEAGHER
NDIHMËS SEKRETAR I MBROJTJES PËR ÇËSHTJET PUBLIKE
“Ende po hetojmë se si ndodhi dhe se çfarë përmasash ka çështja. Janë ndërmarrë hapa për të shqyrtuar se si shpërndahet ky lloj informacioni dhe kujt i jepet. Dokumentet duket të jenë të ngjashme në format me ato që përdoren për të informuar drejtuesit e lartë, por disa prej imazheve mund të jenë ndryshuar”
Dokumentet e klasifikuara filluan të shfaqen fillimisht në platformën Discord, në fund të muajit shkurt dhe në vazhdim u përhapën në media të tjera sociale, përfshirë në rrjetet Telegram dhe Twitter.
Pentagoni tha të dielën se disa agjenci po punojnë për të vlerësuar ndikimin që mund të kenë tek siguria kombëtare, materialet që u publikuan.
Një pjesë e madhe e dokumenteve të nxjerra kanë lidhje me luftën në Ukrainë dhe përmbajnë informacione sekrete në lidhje me kapacitetet luftarake të atij vendi.
Të tjera dokumente, të cilat kanë rrjedhur nga Pentagoni, lidhen me mbrojtjen ajrore të Ukrainës.
Teksa vendi bëhet gati të nisë një kundërofensivë ndaj Rusisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se rezervat e raketave Ukrainase, që përbëjnë 89% të mbrojtjes së saj, mund të shterojnë tërësisht deri më 23 maj.
Pas daljes së këtyre informacioneve, referuar mediave ndërkombëtare që citojnë burime pranë presidentit Ukrainas, Volodymir Zelenski, Kievi po ndryshon strategjinë ushtarake.