LajmeRajon

Sulmi ndaj gazetarit në Kosovë, Asociacioni i Gazetarëve dënon ngjarjen: Të kapen autorët

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla, duke kërkuar hetim urgjent dhe arrestim të menjëhershëm të autorëve të këtij sulmi.

Syla mbrëmjen e 11 prillit ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas lëndimeve në kokë, pasi sipas AGK-së, ai u sulmua në Prishtinë nga tre persona.

Sulmi raportohet se ka ndodhur pasi Syla ka dalë nga studio televizive dhe dyshohet se është përcjellë nga të dyshuarit deri në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

“Ky sulm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës është krejtësisht i papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Kosovë”, u tha në reagimin e AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkoi që autoritetet të arrestojnë personat përgjegjës dhe ata të vihen para drejtësisë.

Sulmin ndaj Sylës e ka dënuar edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, që e ka cilësuar si “shkelje të rëndë të lirisë së shtypit dhe të drejtave të njeriut”, duke theksuar se akte të tilla nuk mund “të tolerohen kurrsesi në një shoqëri demokratike”.

“Ata [gazetarët] kanë të drejtën e garantuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë për të kryer detyrën e tyre profesionale pa frikë dhe pa ndonjë censure apo presion të jashtëm. Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Gazetari Syla kishte qenë cak i një sulmi tjetër fizik në dhjetor të vitit 2020. Gazetarët duke raportuar nga afërsia e barrikadave në veri të Kosovës. Autoritetet kanë raportuar për disa sulme ndaj gazetarëve, në kohën kur tensionet ishin të rritura në veri të Kosovës në fundin e vitit 2022.

Në raportin për të drejtat e njeriut të Human Rights Watch për vitin 2022, u tha se në Kosovë u regjistruan 22 raste të sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë. Sipas HRW, në shumicën e rasteve gazetarët janë përballur me ngacmime, kërcënime dhe frikësime në platformat e mediave sociale. Në raport po ashtu u tha se hetimet penale për këto raste ishin të ngadalshme.

Show More

Related Articles

Back to top button