Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç do të zhvillojë një vizitë 3-ditore në Kosovë, duke filluar nga nesër. Gjatë qëndrimit të tij, Abazoviç do të zhvillojë takime me liderë të institucioneve shtetërore, kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani si dhe me zyrtarë të tjerë.
Në takimin ndërmjet dy kryeministrave, Dritan Abazoviç me Albin Kurtin do të nënshkruajnë marrëveshjen bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.
Gjithashtu, Abazoviç do të takohet edhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nga i cili do të pranojë Çelësin e Prishtinës.
Ndërsa në Aleancën Kosovare të Bizneseve, kryeministri Abazoviç do të nënshkruajë memorandum bashkëpunimi me drejtuesin e kësaj organizate, Agim Shahini. Në takim, kryeministrit do t’i ndahet një mirënjohje për nxitjen e investimeve kosovare në Mal të Zi.
Ndër të tjera, Abazoviç do të ketë takime me drejtues të partive politike parlamentare si Memli Krasniqin e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së./abcnews.al