LajmeRajon

ZRRE-ja, në proces të vlerësimit të aktgjykimit për faturimin e paligjshëm të rrymës në veri

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka bërë të ditur se është në proces të vlerësimit të vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, që konstatoi se konsumatorët mund të kërkojnë të kompensohen për rrymën e paguar për veriun.

Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) kundër aktgjykimit të Apelit sa i përket faturimit të energjisë elektrike për pjesën veriore të Kosovës.

Zëdhënësi i ZRRE-së, Petrit Pepaj, ka thënë për REL-in se aktgjykimi i Gjykatës Supreme i ishte dërguar ZRRE-së më 3 prill dhe se tani është “në proces të vlerësimit të këtij aktgjykimi dhe në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi do të ndërmarrë veprimet e nevojshme”.

Më 2017, Gjykata e Apelit kishte vendosur se është e jashtëligjshme praktikën që qytetarët e viseve të tjera të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.

Në vendimin e Gjykatës Supreme u tha se kjo praktikë e faturimit nuk është në përputhje me Ligjin për rregullatorin për energji elektrike, pasi “është bërë trajtim i pabarabartë i banorëve të katër komunave veriore në raport me banorët e pjesës tjetër dhe se i njëjti faturim nuk është i autorizuar me ligj”.

“Andaj bazuar në nenin 194 të LMD (Ligji për marrëdhëniet e detyrimeve), konsumatorët të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lind e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, u tha në vendimin e Gjykatës Supreme të publikuar më 13 prill.

Lidhur me këtë çështje, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte thënë se Shërbimi i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) ishte “pasuruar pa bazë ligjore”, duke faturuar qytetarët për energjinë elektrike në veri, pasi të njëjtën ata nuk e kishin konsumuar.

Nga përfundimi i luftës deri më 2017, qytetarët e komunave të tjera të Kosovës kanë paguar për rrymën e shpenzuar nga qytetarët në veri të Kosovës.

Më 2021, pas një padie të Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore e Prishtinës detyroi ZRRE-në që të obligojë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) për kthimin e mbi 40 milionë eurove te qytetarët e Kosovës, të cilët në periudhën 2012-2017 – kur edhe ka pasur ankesa – kanë paguar rrymën e konsumatorëve në veri.

Gjatë kësaj periudhe kohore, faturat e qytetarëve në komunat e tjera të Kosovës – përjashto veriun – kanë qenë për 3.5 për qind më shtrenjtë.

Nga viti 2017, përgjegjësia e pagesës për rrymën e shpenzuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i ka kaluar Qeverisë së Kosovës.

Për çështjen e energjisë elektrike në veri, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar edhe në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Më 2013 palët arritën Marrëveshjen për energjinë, e cila nuk është zbatuar. Për shkak të moszbatimit, më 2022, Prishtina dhe Beogradi u pajtuan për Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për energjinë.

Përmes udhërrëfyesit synohet të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Për furnizim dhe faturim të veriut me rrymë do të merret kompania serbe, Elektrosever, por BE-ja ka konfirmuar vitin e kaluar se ka vonesa në zbatimin e udhërrëfyesit.

Show More

Related Articles

Back to top button