Ushtruesi i detyrës së organizatës së veteranëve të luftës, Faton Klinaku, ka thënë se me kryeministrin Albin Kurti, nuk janë dakorduar pas më shumë se dy orë takimi.
“I kemi diskutuar shumë çështje, por kërkesa jonë ka qenë që të kthehet pika 3.1 që e ka ndryshuar kjo Qeveri. Protestat që kemi zhvilluar do të vazhdojmë t’i zhvillojmë. Me Kurtin s’jemi dakorduar sepse kërkuam që të kthehet pika 3.1 që në atë pikë e kanë larguar beneficionin e veteranit që është me ligj”.
“Të kthehet pika 3.1, do të protestojmë derisa kjo çështje të rregullohet. Nëse këta e rregullojnë më mirë këtë çështje, është punë e qeverisë që të kontribuojë më shumë. Secila qeveri e ka për obligim por edhe dëshirë që të bëjë më mirë se që ka qenë, por i kemi thënë që s’mund ta prekni pikën 3.1”, tha Klinaku, njofton Klankosova.tv.
Klinaku tha se Kurti do t’iu dërgojë me shkrim një propozim të ri.
“Do të presim se çka do të dërgojë me shkrim. Qëndrimi ynë mbetet vetëm me 3.1 që të mos preket, sepse është bërë shkelje ligjore. Edhe ditën që do të thërrasin seancë për lexim të dytë, i treguam edhe në zyrë që ne do të jemi në protesta, në qoftë se e rregulojnë natyrisht që do ta duartrokasim. Por nëse e heqin pikën 3.1 do të na kenë në protesta çdo ditë”.
“Kryeministri thirret prapë në shifrat e mëdha të veteranëve që s’është çështje e tij”, tha Klinaku.
Takimi mes përfaqësuesve të veteranëve dhe kryeministrit Kurti ndodhi një ditë pas protestave të kësaj kategorie ku u kundërshtua mospërfshirja e tyre në Ligjin për Pagën Minimale.
Ky ligj u miratua në parim ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.