Rreth 18,000 lopë kanë ngordhur në një shpërthim në një baxho në Teksas në jug të Shteteve të Bashkuara.
Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale, duke raportuar edhe një person të plagosur.
“Ky është zjarri më vdekjeprurës i bagëtive në historinë e Teksasit dhe ka të ngjarë të marrë pak kohë për t’u hetuar dhe pastruar”, tha Komisioneri Shtetëror i Bujqësisë Sid Miller.
Shpërthimi dhe zjarri që pasoi shkatërroi qumështoren Southfork, që ndodhet pranë qytetit të Dimmit në rajonin Teksan të Panhandle, gjatë natës midis të hënës dhe të martës. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe policia, të cilët “kanë zbuluar se një person ka mbetur i bllokuar brenda”. Punëtori i fermës u shpëtua dhe u transportua me helikopter në spital.
Origjina e shpërthimit dhe zjarrit ende nuk është përcaktuar, tha Miller, duke e përshkruar ngjarjen si “të tmerrshme”. Sherifi i Qarkut Castro, Sal Rivera tha se sistemi i shkarkimit të tymit të plehut organik mund të jetë mbinxehur.