21-vjeçari, Jack Teizheira, dyshohet se është personi që publikoi dokumentet sekrete të Pantagonit, duke shkaktuar pasiguri në të gjithë vendin dhe jo vetëm.
Rezervisti i Gardës Kombëtare Ajrore të SHBA-së do të paraqitet në gjykatë sot në Boston, i akuzuar për rrjedhjen e materialeve të inteligjencës ushtarake amerikane për luftën në Ukrainë.
Ai do të përballet me akuzat për nxjerrje dhe transmetim të paautorizuar të informacionit të klasifikuar. I riu u arrestua nga FBI në shtëpinë e tij të enjten. I veshur me pantallona të shkurtra dhe me një bluzë, ai u shoqërua nga forca të shumta të FBI-së.
Por kush është Jack Teixeira?
I njohur në internet me akronimin “OG”, që nënkupton gangster origjinal, ai është një rezervist i Gardës Kombëtare të Massachusetts, thënë ndryshe një ushtar me kohë të pjesshme.
Ai administronte një grup të vogël online prej 25 personash, shumë prej tyre të mitur “të bashkuar nga dashuria për armët, pajisjet ushtarake dhe Zotin”, i krijuar në vitin 2020 në platformën Discord.
Jack Teizheira u kishte thënë miqve të tij që kalonte një pjesë të ditës brenda një objekti ku telefonat celularë dhe pajisjet e tjera elektronike ishin të ndaluara dhe se e kishte marre informacionin që ai ndante me ta për muaj të tërë përpara se të fillonte të shpërndante fotot.
I riu fliste për shërbimet e inteligjencës, që sipas tij i mbanin qytetarët në errësirë për gjithçka, përfshirë edhe “të vërtetat e tmerrshme”. Por anëtarët e grupit nuk tregonin interes ndaj postimeve të tij.
Në fund të vitit, i inatosur se të tjerët nuk i kushtonin rëndësi postimeve të tij të gjata, ai filloi të publikonte fotot drejtpërdrejt. Vetëm më 5 prill, pasi një nga adoleshentët në grup postoi disa nga ato dokumente në një server tjetër Discord dhe më pas ato u publikuan në Telegram dhe Twitter, gazetarët i vunë re.
Rrjedhjet zbuluan vlerësimet e SHBA-së për luftën në Ukrainë, si dhe sekrete të ndjeshme për aleatët amerikanë, duke paraqitur rreziqe për sigurinë kombëtare.