Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, këmbëngul se zgjedhjet në veri që pritet të mbahen më 23 prill duhet të shtyhen. Sipas tij, ky skenar është në dobi të Kosovës, në të kundërtën mbajtja e tyre, siç thotë Haradinaj, është humbje për vendin. Ai thotë se me mbajtjen eventuale rrezikohet edhe më tej policët që operojnë në veri.
Ish-kryeministri i Kosovës, thotë se duhet të tregohet mençuri që proceset të cilat i bëjnë dëm Kosovës të ndalen me kohë.
“Duhet bërë kujdes, opsioni i ndaljes së këtij procesi është i mençur, është në dobi të Kosovës dhe e shpëton edhe fytyrën tonë si shtet. Ndërsa, insistimi për t’i mbajtur zgjedhjet realisht na thellon humbjet, por edhe na merr fytyrën sepse vërtetohet në ditën e zgjedhjeve që nuk jemi në situatën e duhur… Ne duhet të kemi guxim edhe politik, por edhe intelektual, që proceset që i sjellin humbje vendit të ndalen me kohë, mos të mbesim peng prej situatës që po ndodh atje”, thekoi Haradinaj.
Haradinaj thotë se fakti se zgjedhjet mbahen qendra jo të rregullta e të zakonshme votimi, e vështirëson pjesëmarrjen e qytetarëve për të votuar, derisa shton se në këtë formë rrezikohet edhe siguria e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Po, duhet me marrë vendim me ndërpre procesin tani çfarë është, për shkak se nuk mundemi me mbajt zgjedhje e vendvotimi me qenë në stacion të policisë. Sikurse dihet, stacion i policisë në veri janë njësitë speciale dhe s’ka shumë logjikë kutitë me qenë aty ku rrinë policia. Po ashtu është vështirë të kualifikohen zgjedhjet si të lira, demokratike, nëse ato mbahen në Stacionin e Policisë, ku janë vetëm njësitë elite të policisë. Fakti se mbahen në stacionin e policisë e vështirëson pastaj edhe pjesëmarrjen, sado e vogël që është, mundet me qenë edhe më e vogël dhe kësisoj dita e zgjedhjeve nuk është ndonjë sukses për ne si Kosovë, por do të jetë një humbje”, thotë Haradinaj për KosovaPress,
Haradinaj konsideron se vendimi për t’i mbajtur zgjedhjet pa koordinim me aleatët ndërkombëtarë, është i gabuar për vendin.
“Besoj se gabim është se kemi hyrë në këtë rrugë pakrye, pa aleatët, ishte edhe hera parë dhe njëjtë edhe tash. Megjithatë kjo është veç dëm për Kosovën një gjendje e tillë. Policia e Kosovës është në një situatë mjaftë të tensionuar në veri, ata edhe ndërrimet i kanë të gjata, dhe janë të rrezikuar. Ka plot raste kur në Policinë e Kosovës shtihet me armë zjarre, gjatë natës ata i ekspozohen rreziqeve të shumta dhe është gabim të vazhdohet një situate humbëse për Kosovën… Duhet të kthehet një diskutim serioz me aleatët tonë, pra me Amerikën, aleatet tjerë të QUINT-it dhe të gjendet formula që të gjithë të bien dakord për mbajtjen e zgjedhjeve, përfshirë edhe të gjitha partitë politike në veri”, thotë mes tjerash Haradinaj.
Mes tjerash, Haradinaj thotë se agjenda e Serbisë për të qenë kundër Kosovës do të vazhdojë çdoherë, porse sipas tij, e rëndësishme është që për veriun te ketë koordinim me ndërkombëtarët.