Eventet publike jashtë në hapësira janë ndaluar në një zonë të Francës, pasi vala e të nxehtit që ka thyer rekord ka përfshirë Evropën, raportoi BBC të premten.
Koncertet dhe tubimet e mëdha publike janë anuluar në zonën Gironde rreth Bordeaux.
Të enjten, disa pjesë të Francës arritën 40 gradë Celsius, më herët se kurrë më parë gjatë vitit, me temperaturat që pritet të arrijnë kulmin të shtunën.
Shkencëtarët thonë se periudhat e nxehtësisë intensive po bëhen më të shpeshta dhe më të gjata si rezultat i ngrohjes globale.
Spanja, Italia dhe Britania e Madhe po përjetojnë gjithashtu temperatura të larta.
Në Gironde, zyrtarët thanë se ngjarjet publike, duke përfshirë disa nga festimet zyrtare të Rezistencës së 18 Qershorit, do të ndalohen nga e premtja në orën 14:00 “deri në fund të valës së të nxehtit”. Ndalohen gjithashtu ngjarjet në ambiente të mbyllura pa ajër të kondicionuar.
Festimet private, si dasmat, do të lejohen ende.
“Të gjithë tani përballen me një rrezik shëndetësor”, tha zyrtari lokal Fabienne Buccio për radion France Bleu.
Ministria e Brendshme franceze paralajmëroi njerëzit që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të mos ekspozohen ndaj motit.
Parashikuesi shtetëror Meteo France tha se ishte periudha më e hershme e nxehtë që ka goditur ndonjëherë vendin, e cila është shkaktuar nga një masë e ajrit të nxehtë që lëviz nga Afrika e Veriut.
Temperaturat mund të arrijnë 39 gradë Celsius në Paris dhe thatësirat kanë rritur gjithashtu rrezikun e zjarreve.
© KOHA.