VMRO-DPPMNE kërkon nga ministri i jashtëm Bujar Osmani të jep dorëheqje dhe të përgjigjet penalisht për shkak se sipas tyre, krydiplomati i vendit në konferenca për shtyp me të huaj, fjalimin zyrtar e bën edhe në gjuhën shqipe.
Sipas opozitës maqedonase, Osmani me këtë rast nuk respekton gjuhën zyrtare të vendit për përdorim ndërkombëtar. Kërkojnë nga Osmani që për pozitën e tij të paguar nga qytetarët e RMV-së, në këmbim t’ua respektojë aktin më të lartë juridik.
“Nga takimi zyrtar i ministrit Osmani me minsitrin e jashtëm të Spanjës, përmes pres konferencës qartë shihet se Osmani e përdorë gjuhën shqipe, edhe pse dihet se cila është gjuha zyrtare e Maqedonisë për përdorimin ndërkombëtar e vërtetuar me kushtetutë. Bujar Osmani në cilësinë e ministrit të punëve të jashtme të Maqedonisë, i njohur për stilin e tij nënçmues, flet rrjedhshëm në gjuhën shqipe edhe pse është i caktuar ta përfaqësojë Republikën e Maqedonisë. Ky pushtet i LSDM-së dhe BDI-së në krye me Osmanin si minsitër i punëve të jashtme, vazhdimisht i shkel vlerat maqedonase nacionale, ndërsa gjuha maqedonase është njëra nga vlerat më të mëdhaja që i ka populli maqedonas” – tha zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.
MPJ kundërpërgjigjet: Veprojmë sipas kushtetutës dhe ligjit të gjuhëve
Demantojnë nga Ministria e Jashtme. Ministri Bujar Osmani nëpër ngjarje drejtohet me gjuhët që i garanton kushtetuta dhe ligji, përgjgjigjen nga dikasteri i tij.
“Në secilën ngjarje, Ministri drejtohet para opinionit vendas në dy gjuhët zyrtare të definuara sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Gjuhët, me ç’rast ministria siguron përkthim të duhur për mediat prezente. Përkujtojmë se përdorimi i gjuhëve zyrtare në RMV është materie e rregulluar më ligj, ku në mënyrë precize definohet përdorimi i gjuhëve zyrtare në vend dhe duhet të zbatohet në përputhje me rrethanat. Marrë parasysh se press konferencat janë çështje publike, ftojmë VMRO-DPMNE-në që t’i mbështes pretendimet me ndonjë provë regjistirim apo incizim”.- thuhet në reagimin e MPJ
MPJ këkron nga VMRO-DPMNE të kërkojë falje publike për siç thonë, krijimin e panevojshëm të konfuzionit në opinion mbi baza etnike.