Bashkimi Evropian pret që javën e ardhshme delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të finalizojnë temën e energjisë.
Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Peter Stano.
“BE-ja pret që palët të mbyllin çështjen e energjisë gjatë javës së ardhshme në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve”, tha ai përmes një deklarate me shkrim.
BE-ja ka qenë e pranishme në takimin e mbajtur javën e kaluar midis palës serbe dhe Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), në Stamboll të Turqisë. KEDS nga viti 2013 është nën menaxhimin e konsorciumi turk “Çalik-Limak”. Kjo kompani ka ekskluzivitetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në tërë territorin e Kosovës, menaxhon dhe mirëmban asetet në terren.
Në fillim të javës, kryengeociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, paralajmëroi se për çështjen e energjisë janë afër finalizimit të një dakordimi me palën serbe. Ai tha se kjo çështje do të rregullohet “duke respektuar marrëveshjen e arritur në muajin prill të vitit 2013”.
Marrëveshja e vitit 2013, e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, parasheh që përveç KEDS-it, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për shpërndarjen e rrymës. Marrëveshja është konfirmuar në gusht të vitit 2015 nga kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë, por nuk është zbatuar asnjëherë.
Aktualisht, qytetarët serbë që jetojnë në veri të Kosovës nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar. Sipas Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) humbjet nga faturat e energjisë në veri vetëm për vitin 2021 kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh.
Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e Kosovës nga komunat në jug të Ibrit. Por, më 2017, një praktikë të tillë e pezulloi Gjykata e Apelit, pasi u vlerësua se një gjë e tillë ishte e paligjshme. Më vonë, ky vendim u konfirmua edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Faturat për energjinë e shpenzuar në veri të Kosovës i paguan KOSTT-i, gjegjësisht Qeveria e Kosovës./R.E.L/