Mbrojtja e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, që po gjykohen në Hagë për krime lufte, ka nisur marrjen në pyetje të dëshmitarit të dytë të Prokurorisë.
Pyetjet e para ka pasur t’i bëjë mbrojtja e Thaçit. Seanca menjëherë pas nisjes së pyetjeve është kthyer në private.
Edhe dëshmitari i dytë, në dy ditët e para të dëshmisë, në shumicën e kohës ka dhënë dëshmi në seancë të mbyllur.
Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka kërkuar deri në 12 orë kohë për intervistimin e këtij dëshmitari.
Para trupit gjykues në Hagë ai është prezantuar si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ka folur për aktivitetin e këtij subjekti në Malishevë, nga viti 1990.
Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se ishte kyçur në UÇK dhe sipas tij, në të njëjtën kohë kishte ushtruar edhe aktivitetin e tij në LDK.
Sipas tij, UÇK-ja dhe LDK-ja nuk kishin raporte shumë të mira. Ai ka pretenduar se shtabi i UÇK-së në Malishevë bënte presion që LDK të pushonte aktivitetin e saj në atë pjesë.
Megjithatë, tutje dëshmitari ka deklaruar se një pjesë e madhe e UÇK-së i njihte institucionet e atëhershme të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën e LDK-së.
Para këtij dëshmitari, ditë më parë në gjykatore ka dëshmuar dëshmitarja e parë e ZPS-së, por seancat janë mbajtur private.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve. Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.