LajmeRajon

Shpallen rezultatet e zgjedhjeve në veri, KQZ: LVV e PDK fitojnë nga dy komuna pa balotazh

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare të katër komunave në veri të vendit ku sot u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Sipas KQZ-së Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë fituar nga dy komuna qënë raundin e parë.

Sipas rezultateve preliminare, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar 73.5 për qind të votave në Leposaviq, apo 100 vota gjithsej, derisa rivalja e tij nga PDK mori 25% apo 34 vota.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej, Taulant Kelmendi i PDK-së 186 vota ndërsa Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare 75 vota.

Në Zubin Potok, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës mori 52.1 për qind të votave, apo 196 vota derisa Flatron Hasani i LVV-së mori 180 vota.

Ndërkaq, në Zveçan, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi 60 për qind të votave apo 114 vota derisa rivali i tij Fetah Peci i LVV-së 71 vota apo 37.4%.

Kandidatja e pavarur në këtë komunë, Sllagjana Pantoviq – që ishte kandidatja e vetme serbe – fitoi pesë vota, apo 2.6 për qind.

Nga dhjetë kandidatë për postet e kryetarëve, vetëm një është nga radhët e komunitetit serb, pasi Lista Serbe dhe partitë tjera më të vogla nga radhët e këtij komuniteti i bojkotuan zgjedhjet me kërkesën e Serbisë.

Në këto rezultate nuk janë të përfshirë votat me kusht. Në zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore kanë marrë pjesë 1567 qytetarë apo 3.47 për qind, nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Show More

Related Articles

Back to top button