BotaLajme

Tensionet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, Baku dhe Jerevan mosmarrëveshje për një pikë kontrolli

Azerbajxhani ngriti një pikë kontrolli në korridorin e Laçinit, e vetmja rrugë që lidh Armeninë me rajonin e Nagorni-Karabahut. Baku dhe Jerevani akuzojnë njëri-tjetrin.

Për herë të parë që nga lufta e vitit 2020 Azerbajxhani ngriti përsëri një pikë kontrolli në të vetmen rrugë që lidh Armeninë me rajonin e Nagorni-Karabahut. Pas përfundimit të luftës në vitin 2020 në marrëveshjen e armëpushimit u vendos që Baku duhet të garantojë një kalim të sigurt në Korridorin e Laçinit.

Drejtoria e Shërbimit Shtetëror të Kufirit njoftoi përmes një deklarate, se pika e kontrollit kufitar është ngritur në hyrje të rrugës. Në deklaratë thuhet edhe se vendimi ishte marrë në përgjigje të një veprimi të ngjashëm nga Armenia. Po sipas kësaj deklarate të Drejtorisë së Shërbimit Kufitar pika e kontrollit synon të “parandalojë transportin e paligjshëm të fuqisë punëtore, të armëve dhe të minave”.

Akuza të ndërsjellta

Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit e akuzoi Armeninë se e përdor korridorin për rotacionin e stafit të ushtrisë, si dhe “transferimin e armëve dhe municioneve, hyrjen e terroristëve, si dhe trafikimin e paligjshëm të burimeve natyrore dhe pasurive kulturore”. Ministria shtoi se kishte regjistruar autokolona ushtarake që hynin në territorin e vendit dhe për të ngritur infrastrukturë ushtarake “në pikën më të afërt me territorin e Azerbajxhanit”.

Armenia e dënoi ngritjen e postbllokut si “shkelje flagrante” të marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2020. “Ne i bëjmë thirrje Federatës Ruse që të zbatojë urgjentisht deklaratën tripalëshe,” tha Ministria e Jashtme armene.

Patrulla paqeruajtësish rusë

Pas armëpushimit të vitit 2020 mes Armenisë dhe Azerbajxhanit rruga kontrollohej nga patrulla paqeruajtësish rusë. Megjithatë përleshjet mes dy shteteve armike kanë vazhduar. Armenia ka thënë shpesh se Rusia është mjaft e zënë me pushtimin e saj në Ukrainë, dhe se Moska nuk i kushton më vëmendje rolit të saj paqeruajtës në rajon.

Rajoni i Nagorni-Karabahut, pretendohet prej kohësh nga të dy vendet dhe ka nxitur shpesh konflikte dhe luftime midis Armenisë dhe Azerbajxhanit fqinjë. Rajoni shtrihet brenda Azerbajxhanit, i cili mbështet nga Turqia, por që nga viti 1994 është nën kontrollin e forcave etnike armene të mbështetura nga Jerevani.

Në vitin 2020 Azerbajxhani donte ta vinte përsëri nën kontroll rajonin e Nagorni-Karabahut.Lufta gjashtëjavore përfundoi me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia.

© SYRI.net

Show More

Related Articles

Back to top button