Policia Ushtarake në bashkëpunim me Departamentin Kundër Korrupsionit të Prokurorisë në Nish kanë arrestuar tre persona të akuzuar për korrupsion dhe ryshfet.
Nën dyshimet se kanë kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit, janë arrestuar M. M. 31-vjeç, përgjegjës në “HST MM” nga Beogradi, S. M. 61-vjeç, përgjegjës i kompanisë “Ogareviq Trade” në Beograd si dhe LJ. M. 67-vjeç. Ndërsa V. S. 61-vjeç, ushtarak i Forcave të Armatosura të Serbisë akuzohet për veprën penale të marrjes së ryshfetit për një kohë të gjatë, shkruajnë mediat serbe.
Tre të akuzuarit, nga dhjetori 2020 deri në muajin maj 2021, i kanë paguar mijëra euro të dyshuarit V.S., përmes xhirollogarive të kompanive të tyre në llogarinë e tij dhe të anëtarëve të familjes, me qëllim që të kryejë favorizime gjatë procedurave të prokurimit publik.
Gjykata e Lartë me veprimet e ndërmarra ka gjetur se personat përgjegjës të Forcave të Armatosura të Serbisë kanë lidhje me kontratat e kompanive të sipërpërmendura, për kryerjen e punimeve për mirëmbajtjen e objekteve, instalimeve dhe blerjen e materialeve.
Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit dhe kallëzimi penal do të dërgohet në prokurorinë kompetente.
Top Channel