Ukraina po punon me Byronë Federale të Hetimit të Shteteve të Bashkuara (FBI) dhe me kompanitë amerikane për të mbledhur të dhëna për krimet e mundshme të luftës të kryera nga rusët. Ata po mbledhin informacione të telefonave dhe lokacioneve ku kanë ndodhur krimet e pretenduara, thanë zyrtarët e lartë.
Autoritetet ukrainase po mbledhin informacione digjitale nga fushëbetejat dhe qytetet ukrainase që janë goditur nga lufta që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës shkurtin e kaluar, tha Alex Kobzanets, agjent special i FBI-së, i cili më herët ka punuar si atashe ligjor i FBI-së në Ukrainë.
“Mbledhja e të dhënave, analizimi i tyre është diçka që FBI-ja ka eksperiencë”, tha Kobzanets gjatë një konference për sigurinë kibernetike të mbajtur në San Francisko.
Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshon urdhërarrestim për Putinin
Puna përfshin edhe analizimin e informacioneve të marra nga telefonat, analizat e forenzikës të AND-së, por edhe analizimin e pjesëve trupore të viktimave të marra nga fushëbetejat, tha ai.
“Hapi i radhës është puna me kompanitë amerikane që ofrojnë shërbime dhe transferimi i këtyre informacioneve… marrja e informacioneve për vendndodhjet”, shtoi ai.
Kjo punë shfaq thellimin e bashkëpunimit midis SHBA-së dhe Ukrainës në fushën e kibernetikës, ku Rusia konsiderohet kundërshtare për të dyja shtetet.
Qeveria ruse nuk ka komentuar menjëherë për këtë çështje.
Agjenti i FBI-së shtoi se ky institucion që një vit e gjysmë po punon për të ndihmuar Ukrainën që të identifikojë kolaboracionistët rusë dhe spiunët që operojnë në Ukrainë dhe forcat ruse që kanë operuar jashtë Kievit në nisjen e pushtimit.
Kompanitë amerikane të sigurisë dhe zyrtarët e tjerë amerikanë kanë qenë partnerë të rëndësishëm në përpjekjet e Ukrainës për t’iu kundërvënë sulmeve kibernetike ruse, që kanë nisur që nga viti 2015.
Ukraina dhe shtetet e tjera kanë akuzuar disa herë Rusinë se ka kryer krime të luftës kundër civilëve ukrainas. Por, Rusia ka hedhur poshtë këto pretendime./REL/