Italia do të synojë të luajë një rol të madh në rindërtimin e Ukrainës. Lajmi është bërë me dije nga kryeministrja e vendit, Giorgia Meloni.
Duke folur në samitin dypalësh me Ukrainën, të mbajtur sot në Romë, Meloni i kërkoi Bashkimit Evropian të mbështesin rindërtimin e vendit të goditur nga lufta – prej më shumë se një viti – me Rusinë.
“Ne duam të luajmë një rol udhëheqës jo vetëm politikisht, por edhe duke përfshirë bizneset”- tha Meloni gjatë deklaratës së përbashkët me kryeministrin ukrainas, Denys Shmyhal.
Meloni, e cila mori detyrën tetorin e kaluar, inkurajoi kompanitë italiane të kontribuojnë në rindërtimin e Ukrainës, duke e quajtur atë një investim “largpamës”.
Banka Botërore, Kombet e Bashkuara, Komisioni Evropian dhe Ukraina vlerësuan së fundmi se rindërtimi do të kushtonte vendit 411 miliardë dollarë, shifra këto shumë herë më të larta nga një vlerësim i mëparshëm prej 349 miliardë dollarësh.