Numri i qytetarëve dhe kompanive që kanë automjete individuale vetëm brenda një viti është rritur me një numër shqetësues prej 59.000. Në fund të vitit 2021, në rrugët e Maqedonisë u regjistruan 559.418 automjete, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS). Në periudhën e pandemisë kovid-19, u vërejt rritje e intensifikuar e shkallës së motorizimit të popullsisë në vend. Sa për krahasim, në vitin 2020 me targa të Maqedonisë kishte 500.633 automjete motorike dhe rimorkio, shkruan Meta.mk.
Sipas të dhënave statistikore, në transportin rrugor ende dominojnë makinat, prej të cilave vitin e kaluar në vend ka pas gjithsej 477.820 ose 48.000 më shumë krahasuar me vitin 2020. Numri i kamionëve brenda 12 muajsh është rritur me mbi 4.100 automjete të reja, ndërsa numri i autobusëve është rritur me mbi 330 mjete shtesë krahasuar me vitin 2020. Rritje prej rreth 4.000 ka shënuar numri i kamionëve, ashtu që vitin e kaluar janë regjistruar 43.327 automjete të këtilla. Të dhënat e ESHS-së tregojnë se brenda një viti ka edhe rritje të numrit të traktorëve të regjistruar, automjeteve tërheqëse, automjeteve për punë dhe rimorkiove.
ESHS para disa ditësh publikoi të dhëna për shkallën e motorizimit të popullsisë. Për shkak të rritjes së numrit të automjeteve të reja që kanë marrë targa të Maqedonisë, vitin e kaluar numri i veturave të pasagjerëve për 1000 banorë është rritur në 260,1. Kjo rritje e përshpejtuar e shkallës së motorizimit mund të krahasohet me vitin 2020, kur për çdo 1000 banorë në Maqedoni kishte 207,4 vetura të pasagjerëve.
Nëse bëhet krahasimi me vendet anëtare të BE-së, atëherë shkalla e motorizimit të popullsisë në Maqedoni është shumë më e ulët. Të dhënat e fundit të Eurostat për vitin 2020 tregojnë se në BE kishte 560 makina pasagjerësh për 1000 banorë. Luksemburgu ka shkallën më të lartë të motorizimit (696 makina për 1000 banorë), ndërsa Letonia ka normën më të ulët (353 makina për 1000 banorë).
Megjithatë, pavarësisht shkallës dukshëm më të ulët të motorizimit në krahasim me vendet anëtare të BE-së, ajo që shqetëson është numri i automjeteve të përdorura që importohen ndër vite. Në vitin 2021 janë importuar mbi 40.000 automjete, prej të cilave 37.832 kanë qenë të përdorura më parë. Në periudhën nga viti 2009 deri në vitin 2021, në vend janë importuar 403.616 automjete të përdorura, që nga ana tjetër ka ndikim të drejtpërdrejtë negativ në ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike.
Nuk ka vendim për ndalimin e importit të automjeteve me motorë nën EURO 5
Si rezultat i rritjes së shkallës së motorizimit të popullatës në Maqedoni, me kalimin e viteve, numri i udhëtarëve në transportin publik është zvogëluar, duke përfshirë transportin urban-periferik në Shkup, transportin ndërurban me autobus dhe trafikun hekurudhor. Vetëm vitin e kaluar, NTP-Shkup dhe autobusët privatë kanë transportuar vetëm 29.797.130 pasagjerë, kurse ky numër zvogëlohet në vazhdimësi.
Edhe pse ishte premtuar që këtë vit do të miratohet vendimi për ndryshimin e rregulloreve për import të automjeteve të përdorura, me të cilat do të ndalohet importi i automjeteve nën standardin EURO 5 të emetimeve, Qeveria e Maqedonisë nuk ka miratuar vendim të tillë. Data se kur do të shtrëngohej rregullorja për importin e automjeteve të përdorura nga jashtë në vend nuk dihet, ndonëse premtimi se një hap i tillë do të ndërmerrej ishte dhënë në fillim të vitit 2021.
Gjermania ka fut në përdorim bileta mujore prej 9 euro për të gjithë transportin publik
Për t’iu përgjigjur krizës në rritje energjetike me rritjen e çmimeve të karburantit dhe rritjen e numrit të përdoruesve të transportit publik, qeveria e Gjelbër e majtë e Gjermanisë e udhëhequr nga socialdemokrati Olaf Scholz ka fut në pëdorim bileta mujore prej 9 euro të cilat vlejnë për të gjithë transportin publik në Gjermani.
Kjo biletë popullore mund të blihet nga çdo qytetar ose turist gjerman, e vlefshme për një numër të pakufizuar udhëtimesh në të gjitha mjetet e transportit publik në Gjermani – trenat e Deutsche Bahn dhe tramvaj, autobus, metro dhe transport hekurudhor të lehtë në të gjitha qytetet gjermane. Bileta 9 euro nuk përfshin vetëm trenat super të shpejtë të Deutsche Ban – Intercity Express, Intercity dhe Eurosity, si dhe trenat e operatorëve privatë dhe kompanive private të autobusëve.
Biletat mujore prej 9 euro lëshohen me emrin dhe mbiemrin e çdo pasagjeri dhe qeveria gjermane ka vendosur që për momentin ato të vlejnë për muajt qershor, korrik dhe gusht 2022. Fëmijët nën 6 vjeç udhëtojnë falas me transportin publik, ndërsa ata qytetarë (studentë, punonjës etj.) të cilët anë pasur bileta mujore për transportin publik do të rimbursohen deri në 9 euro në muaj për biletë.