Rusia ka sulmuar qytetin jugor ukrainas të Mikolajivit me raketa tokë-ajër gjatë natës, duke lënë të vdekur të paktën një civil dhe plagosur disa të tjerë.
Kështu bëri të ditur më 27 prill presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe zyrtarë të tjerë, përderisa ushtria ukrainase tha se beteja për marrjen e kontrollit të Bahmutit po vazhdon.
Bahmuti, që gjendet në lindje të Ukrainës, ka qenë epiqendra e ofensivës së trupave ruse.
Trupat ruse shënjestruan Mikolajivin me katër raketa të llojit S-300, tha kreu i administratës rajonale ushtarake, Vitaly Kim. Ai shtoi se të paktën një ndërtesë e lartë dhe dy shtëpi private u goditën nga sulmet.
“Armët me precizitet të lartë u përdorën për të sulmuar shtëpi private, një ndërtesë historike dhe një ndërtesë të lartë”, shkroi në Telegram presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Deri më tani, ne dimë se një person ka vdekur dhe 23 janë plagosur, përfshirë një shtëpi”, shtoi ai.
Kryetari i Mikolajivit, Oleksandr Sienkovych, tha se pas sulmit një pjesë e qytetit ka mbetur pa energji elektrike.
Rajoni i Mikolajivit në muajt e fundit ka qenë cak i sulmeve të shpeshta të Rusisë.
Që nga nisja e pushtimit të Ukrainës në shkurtin e kaluar, Rusia ka mohuar se shënjestron civilët, pavarësisht se ka prova që dëshmojnë të kundërtën.
Në rajonin e Donjeckut, luftimet e ashpra kanë vazhduar në vijën e frontit Bakhmut- Avdijivka-Marjinka, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase më 27 prill.
“Sulmuesi ka përqendruar përpjekjet e tij sulmuese në Bahmut, Avdijivka dhe Marjinka, ku forcat e mbrojtjes ukrainase kanë zmbrapsur 54 sulme gjatë 24 orëve të fundit. Luftimet e ashpra po vazhdojnë në Bakhmut dhe Marjinka”, u tha në njoftimin ditor të ushtrisë ukrainase.
Serhiy Cherevatiy, zëdhënës i komandës lindore të ushtrisë, tha se forcat ruse po e rrafshojnë Bahmutin.
“Rusët po shkatërrojnë ndërtesa në Bakhmut për të parandaluar ushtarët tanë që t’i përdorin ato si fortifikime”, tha ai.
Më 26 prill, kreu i grupit famëkeq rus të mercenarëve, Wagner, Yevgeny Prigozhin, tha se ushtria ukrainase ka të ngjarë që në fillim të muajit të ardhshëm të nisë kundërofensivën e saj pranverore.
Pala ukrainase nuk ka komentuar këtë deklaratë të Prigozhinit. /REL