LajmeMaqedoni

Rritet çmimi i transportit të udhëtarëve

Të gjithë kompanitë në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë kanë informuar se rritja më e re e çmimeve të udhëtimit ka të bëj me rritjet në kontinuitet të derivateve të naftës. Ata thonë se nuk kanë përfitime plotësuese. por me rritjen e çmimeve faktikisht mbulojnë harxhimet që kanë me derivatet

Vjollca SADIKU

Dibër, 18 qershor – Dibranët vazhdojnë të shqetësohen me rritjen e çmimeve në të gjithë sferat e jetës. Ashtu ndodh edhe me rritjen e çmimit të transportit të udhëtarëve, përkatësisht ka një rritje mbi 30 për qind të transportit urban dhe ndër urban. Të gjithë kompanitë në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë kanë informuar se rritja më e re e çmimeve të udhëtimit ka të bëj me rritjet në kontinuitet të derivateve të naftës. Ata thonë se nuk kanë përfitime plotësuese. por me rritjen e çmimeve faktikisht mbulojnë harxhimet që kanë me derivatet.

Sipas kompanive të transportit të udhëtarëve, udhëtimi Dibër-Shkup është rritur në një drejtim nga 350 denar në 450 denarë, kurse në të dy drejtimet bileta kthyese kushton nga 600 denar në 700 denar. Përfaqësuesit e kompanisë “Gazmend Turist” thonë se çmimet e reja janë të diktuar nga çmimet e derivateve. Po të njëjtin vlerësim japin edhe pronarët e kompanisë “Burim Trejd”. Edhe ata kanë të njëjtat çmime për relacionin Dibër-Shkup siç i ka kompania “Gazmend Turist”. Për të udhëtuar në relacionin Dibër- Strugë, një relacion i cili është shumë frekuentues sidomos gjatë sezonit veror, çmimet në një drejtim janë nga 150 denar kurse në të dy drejtimet bileta kthyese kushton 250 denar. Përfaqësuesit të të dy kompanive të lartpërmendura theksojnë se janë çmime minimale në krahasim me rritjet e çmimeve për derivatet e naftës. Rritje të çmimeve ka edhe në transportin e udhëtarëve në linjat lokale nga Dibra për në Qendër Zhupë dhe nga Dibra drejt fshatrave të komunës. Sipas pronarëve të kompanisë “Radika” për relacionin Dibër-Qendër Zhupë në një drejtim aktualisht udhëtohet për 80 denarë, kurse çmimi i mëparshëm ka qenë 60 denarë. I njëjti burim shton se shumë shpejt ka gjasa për të udhëtuar drejt Qendër Zhupës nga Dibra çmimi të jetë 100 denarë. Kjo kompani aktualisht ka çmimin më të ulët të biletave në relacionin Dibër- Strugë meqë 100 denar është në një drejtim kurse bileta kthyese është vetëm 150 denarë.

Vala e rritjes së çmimeve të karburanteve ka rritur çmimin e kompanive për transport të udhëtarëve që transportojnë udhëtar drejt aeroporteve të Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës. Kompania për transport të udhëtarëve “Unik Turs”, ka informuar se për udhëtim në drejtim të aeroporteve, nga 100 euro aktualisht ka një rritje për 20 euro që do ë thotë transporti nga Dibra për në aeroportet tash kushton 120 euro . Ka rritje të çmimeve edhe në taksi shërbimet në Dibër. Për një drejtim aktualisht paguhen 80 denar kurse më parë ky çmim ka qenë 60 denarë. Të udhëtosh me taksi automjet për në fshatrat e Dibrës aktualisht paguhet 300 denarë, kurse më parë ka qenë 200 denarë. Në kompanitë për transport ndërkombëtar të udhëtarëve siç janë “Hisar Turizëm”, “Gazmed Turizëm”, “Radika” etj, thonë se ka një rritje të biletave mesatarisht nga 30 për qind. Pothuajse të gjithë kompanitë me të cilët kontaktuam na informuan se ka mundësi shumë shpejt nëse vazhdon rritja e çmimit të derivateve të vazhdojnë të rriten edhe çmimet e transportit të udhëtarëve. (koha.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button