Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka pritur në një takim përfaqësuesit e Grupit Punues të Këshillit të Zgjerimit të BE-së dhe të vendeve që zhvillojnë negociatat për anëtarësim në BE (COELA).
Në këtë takim, sipas njoftimit të presidencës serbe, Vuçiç u ka thënë atyre se Serbia është maksimalisht e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve të dakordësuara.
Veç tjerash, ai thuhet se u ka bërë thirrje përfaqësuesve të BE-së që të rrisin angazhimin e tyre për të zbatuar detyrimet e marra të Kosovës.
Ndërkaq, në emër të Presidencës suedeze të Trupit Punues të Këshillit të BE-së, Susanna Leesik, i tha Vuçiçit se vendi i tij duhet të përshpejtojë dhe zbatojë më tej reformat në fushat themelore, si sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore të njeriut, pavarësia dhe funksionimi i gjyqësorit, liria e shprehjes, duke përfshirë lirinë e medias dhe luftën kundër korrupsioni dhe krimi i organizuar.