LajmeRajon

Rigjallërohet dialogu Kosovë-Serbi: Shumë shpejt, një marrëveshje e re

Vizita e kancelarit gjerman Olaf Scholz në Ballkan, injektoi energji të re në përpjekjet për të vënë në lëvizje dialogun e ngecur mes Kosovës dhe Serbisë. Palët po lëvizin, dhe sipas Miroslav Lajçak javën e ardhshme pritet edhe një marrëveshje me rëndësi në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve. Nga Bashkimi Evropian u bë e ditur se bëhet fjalë për marrëveshjen për energjinë për serbët në veri të Kosovës. “Ne do të kemi një tjetër takim mes kryenegociatorëve javën e ardhshme. Me shpresë, do të mund të njoftojmë rreth një marrëveshjeje shumë të rëndësishme, dhe unë gjithashtu po shpresoj t’i bëj të dy liderët bashkë në Bruksel, për takimin e tretë të nivelit të lartë përpara pushimeve të verës” ka thënë Lajçak. “BE-ja pret që palët të mbyllin çështjen e energjisë gjatë javës së ardhshme në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve”, tha Stano. Përfaqësues të Bashkimit Evropian, kanë qenë të pranishëm në një takim të mbajtur javën e kaluar në Stamboll të Turqisë, ndërmjet palës serbe dhe Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS). KEDS nga viti 2013 kryen shpërndarjen e energjisë elektrike në tërë territorin e Kosovës. Edhe autoritetet e Beogradit dhe ato të Prishtinës në fillim të javës paralajmëruan se janë afër marrëveshjes për zgjidhjen e problematikave të energjisë elektrike për serbët në veri të Kosovës, të cilët që nga paslufta nuk paguajnë faturat e rrymës. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic, tha se marrëveshja për energjinë me Kosovën është drejt përfundimit.

Show More

Related Articles

Back to top button