Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje që të dërgohen më shumë armë në vendin e tij, pasi sulmet me raketa ruse gjatë dy netëve të fundit vranë të paktën 25 civilë.
“Mbrojtja kundërajrore, aviacioni modern, pa të cilin është e pamundur mbrojtja kundërajrore, municione, të blinduara. E gjithë kjo është e nevojshme për të garantuar sigurinë e qyteteve tona, fshatrave tanë, në brendësi dhe në vijën e parë”, tha Zelenskiy sipas CNN.
Presidenti ukrainas iu referua 23 të vdekurve në sulmin në qytetin Uman në orët e para të ditës së djeshme, mes tyre katër fëmijë, si dhe një nënë të re dhe vajzën e saj 3-vjeçare që u vranë në Dnipro.
“Vetëm e keqja absolute mund të lëshojë një terrorizëm të tillë kundër Ukrainës,” tha Zelensky, duke shtuar se ai ishte i kënaqur me qëndrimin në Evropë që përgjegjësit duhet të dënohen.