Të mërkurën do të mbahet mbledhje konstitutive e grupit të punës për reforma zgjedhore i formuar nga Ministria e Drejtësisë që duhet t’i zbatojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe njëkohësisht të punojë në Kodin e ri Zgjedhor.
Grupi i punës do të funksionojë me përfaqësues politik nga LSDM, BDI, ASH, Lëvizja Besa, Alternativa, E Majta dhe Lidhaj Demokratike e Maqedonisë, ndërsa OBRM-PDUKM momentalisht është pa përfaqësues.
Kreu u OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski gjatë ditës së djeshme theksoi se partia e tij do të mbështesë një njësi zgjedhore, nëse qeveria dhe partitë shqiptare e mbështesin këtë model.
Sipas tij, ndryshimet teknike që lidhen me vërejtjet e OSBE-së do t’i mbështesë pa përfaqësues në Grupin e Punës.
Kujtojmë se zgjedhjet e ardhshme pritet të mbahen në vitin 2024 si zgjedhje të rregullta, ndërsa bashkërisht me zgjedhjet parlamentare, po atë vit, do të ketë edhe zgjedhje presidenciale./Telegrafi/