Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të lejojë krijimin e një forme të Republikës Srpska në veri të Kosovës. Këto komente Kurti i bëri në një intervistë për median korate “Hina” në prag të një raundi të ri të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
Në takimin e Kurtit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel më 2 maj, do të prezantohet drafti i statusit të komunave në veri të Kosovës, që është një pikë kyçe e negociatave, transmeton Telegrafi.
Kurti, i cili ndodhej në forumin ekonomik në qytetin grek të Delphi, tha se ende nuk e ka parë draftin për krijimin e Asociacionit.
Pala serbe ka prioritet formimin e një bashkësie të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, e cila është paraparë me marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2013.
Kosova, nga ana tjetër, po përpiqet ta pengojë atë komunitet të ketë kompetenca ekzekutive, duke theksuar se nuk dëshiron diçka si Republika Srpska në BeH në territorin e saj.
“Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë nëse do të ma prezantonin fillimisht në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që ajo që është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, është përmbushur ekzistimi i një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e minoriteteve”, tha ai.
“Por ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Srpska në BeH. Ne nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me thelb shkatërrues që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, theksoi ai.
Kurti pohon se sheh ngjashmëri me Rusinë në marrëdhëniet e Serbisë me vendet fqinje.
“Megjithatë, vendi ynë është një vend normal demokratik që u jep të drejta individuale dhe të tjera qytetarëve të vet, por nuk lejon territorizim në bazë etnike, sepse është kundër demokracisë dhe republikës”, shtoi Kurti.
Ai tha se u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnik, përkatësie sociale apo përkatësie fetare dhe se në Bruksel do të sigurojë kushtetutshmëri dhe ligjshmëri në tërë territorin e Kosovës.
“Sovraniteti dhe integriteti territorial është diçka që nuk guxon të cenohet. Unë dua marrëdhënie normale me Serbinë, marrëdhënie evropiane, marrëdhënie të mira fqinjësore. Mbrojtja e minoriteteve është e rëndësishme për ne. Por ne nuk mund t’i japim pushtetin ekzekutiv komunitetit lokal sepse pushtetet ekzekutive i përkasin Qeverisë dhe komunave”.“Gjithashtu, ne duam të forcojmë shërbimet publike që do t’u ofrohen të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe jo t’i ofrojmë për shkak të përkatësisë etnike. Pra, të presim dhe të shohim se si do të zhvillohet takimi në Bruksel”, theksoi Kurti.