Terapi të veçanta përmes bletëve të cilat mundësojnë shërimin e alergjive, bronkitit, trajtimit të astmës, sinusëve, migrenës, si dhe stresit e depresionit për të gjitha moshat! Kjo terapi e njohur si Api Terapia, vjen për herë të parë edhe në vendin tonë. Ambulanta “Api Terapia – Shëndeti Forinë” ndodhet në fshatin Forinë të Gostivarit, një investim nga Enes Saliu, mërgimtarë nga ky fshat dhe Hans Musch nga Gjermania i cili është edhe shpikësi i kësaj terapie, gjegjësisht aparaturës për dhënien e kësaj terapie. Në hapjen solemne ku para të pranishmive u prezentuan shumë storie suksesi, nga investitori u tha se “Api Air terapia” është një lloj terapie alternative që përdor ajrin që vjen direkt nga bletët. Ajo përdoret pastaj edhe për të trajtuar sëmundjet të tjera sikurse sklerozë të shumëfishtë, artriti dhe infeksione të ndryshme. Hans Musch, garanton se kjo terapi nuk shkakton efekte anësore.
“Deri më tani me qindra persona janë shëruar me këtë lloj terapie. Këta persona shprehen të kënaqur dhe kam pranuar me qindra letra falenderuese pas terapisë e cila i ka shëruar ata. Aparatin për këtë terapi e kam zbuluar unë. Të gjitha të mirat që lëshojnë bletët, thithen përmes këtij aparati dhe nuk shkakton efekte anësore pasi gjithçka direkt nga bletët e marrim në trupin tonë”, deklaron 80 vjeçari Hans Musch.
Thithja e ajrit të bletëve ka efekte pozitive në mirëqenien psikologjike, shton Musch. Qëndrimi në bletë për rreth 30 minuta në ditë dhe thithja e ajrit plot me energjinë e tij pozitive forcon sistemin imunitar të trupit, nënvizon 80 vjeçari, dhe thekson se e njejta është e përballueshme financiarisht. Është gati ta oforjë edhe falas për personat që nuk kanë mundësi materiale.
“Kjo terapi shëron të gjitha sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes që mund të shfaqen. Shëron mushkëritë, fytin, astmën dhe alergji të ndryshme. Një seancë zgjat 30 minuta dhe ajo kushton 12 euro, por nëse vjen dikush dhe na thotë se nuk ka mundësi financiare për ta përballuar, ne do ta shërbejmë edhe falas. Terapia nuk kërkon shumë séanca, si fillim ju mjaftojnë katër séanca të bëni”, deklaron Hans Musch.
Kjo terapi krahasuar me harxhimet për barnat për shërimin e këtyre sëmundjeve, nuk kushton as pesë për qind i atyre harxhimeve.
Ndryshe, në hapjen solemne të ambulantës në Forinë, morën pjesë një numër i madh mysafirësh, mesin e tyre edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi dhe fëmijë nga shoqatat të cilat punojnë me persona me aftësi të veçanta.