LajmeRajon

Takimi Kurti – Vuçiq në Bruksel, agjenda dhe temat e bisedimeve

Sot në Bruksel do të takohen kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, takim ky i pari i nivelit të lartë, pas atij të Ohrit ku u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes.

Në njoftimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë është bërë e ditur se përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët duke filluar nga ora 18:00.

Më tej bëhet e ditur se takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike”, thuhet në njoftim.

Në fund të takimit, pritet një deklaratë e përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell.

E të hënën në mbrëmje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka mbërritur në Bruksel, para takimit të së martës në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti thotë se përgatitja për këtë takim ka qenë komplekse, por edhe e lehtë.

“Mbërrita në Bruksel dhe kalova ditën duke u përgatitur për takimin e së martës. Përgatitja për negociata është komplekse por edhe e lehtë: komplekse sepse ka shumë informacione dhe detaje të përfshira, ndër të tjera, por e lehtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të ndershme dhe fisnike”, njoftoi Kurti në Twitter.

Ndërkaq, një ditë para takimit në Bruksel, Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin e Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, Derek Chollet.

Këshilltari amerikan në një postim në llogarinë e tij në Twitter, bëri të ditur se është biseduar për themelimin e Asociacionit dhe partneritetin e fortë mes SHBA-së dhe Kosovës.

Po ashtu të dy kanë diskutuar edhe për takimin e 2 majit në Bruksel.

“Kam pasur një bisedë shumë të mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për takimin e 2 majit të liderëve lidhur me normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja, dhe shpreha rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit për komunat me shumicë serbe dhe partneritetin e fortë SHBA-Kosovë”, shkroi Chollet.

Ndërsa Kurti theksoi rëndësinë që Marrëveshja themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim.

“Pata një telefonatë të mirë me Derek Chollet sot, ku diskutuam agjendën e takimit të së martës… Theksova rëndësinë që Marrëveshja Themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim. E falënderova edhe për mbështetjen e SHBA-së”, u shpreh Kurti.

Shefi i ekzekutivit të vendit ka thënë ditë më parë se nuk do të lejojë krijimin e “Republikës serbe” në Kosovë. /Telegrafi/

Show More

Related Articles

Back to top button