Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, sot duhet të mbajë takim me koordinatorët e grupeve parlamentare, ku një nga temat pritet të jetë se si dhe në cilin komision parlamentar do të prezantohet kontrata e Qeverisë me “Bechtel dhe Enka” për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10-d, transmeton Portalb.mk.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi ditë më parë në një konferencë për media deklaroi se në këtë takim koordinues është e mundur të arrihet një marrëveshje, por pyetja është se a do të pajtohet VMRO-DPMNE opozitare, koordinatori i së cilës Nikola Micevski nuk merr pjesë në takime.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së para dhjetë ditësh përmes një letre kanë kërkuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski që kontratën, e cila është e klasifikuar, t’ua dorëzojë përfaqësuesve të zgjedhur që kanë certifikatë sigurie. Në VMRO-DPMNE janë nëntë të tillë.
Qeveria më pas njoftoi se përfaqësuesit e saj dhe anëtarët e Komisionit për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d do të paraqesin dokumentacionin dhe detajet e kontratës, por VMRO-DPMNE u përgjigj se nuk mund t’u prezantohet vetëm kontrata sepse ata që kanë certifikatë sigurie kanë të drejtë aksesi në çdo dokument të shënuar “sekret shtetëror”.
Të premten, kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke folur se kur do t’u prezantohet marrëveshja deputetëve, tha se pret të marrë reagime nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.
Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d.
Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-d me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.
Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.
Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.