Tensionet mes Lindjes dhe Perëndimit vijojnë të mbeten të larta, edhe pse lufta në Ukrainë po vijon në muajin e katërt të saj.
Aleanca e Atlantikut të Veriut e ka cilësuar si një provokim të papranueshëm teksa një luftanije ruse shkel për të dytën herë ujërat e NATO-s. Sipas ushtrisë së Danimarkës anija ruse hyri në ujërat e saj territoriale në orët e para të së premtes pranë ishullit Christiansoe në Detin Baltik.
Komanda e forcave të armatosura daneze thotë se anija luftarake u largua pasi u kontaktua në radion detare nga marina e tyre. Ministri i Jashtëm danez Jeppe Kofod tha se ambasadori rus është thirrur për të protestuar ndaj incidentit.
“I është komunikuar në terma shumë të qartë ambasadorit rus se ky lloj veprimi është plotësisht i papranueshëm”, tha Kofod në një deklaratë.
“Ne nuk do ta pranojmë këtë lloj provokimesh rus”.
Ai më vonë shkroi në një postim në Tëitter: “Është një provokim rus jashtëzakonisht i papërgjegjshëm, i vrazhdë dhe krejtësisht i papranueshëm. “Këto taktika bllofi nuk funksionojnë në Danimarkë.”
Ai e mbylli deklaratën e tij me hashtagun ëe Are NATO.
Si Suedia ashtu edhe Danimarka kanë raportuar shkelje të hapësirës ajrore nga avionët rusë pas pushtimit të Ukrainës.
Ndërkohë, Vladimir Putin ka paralajmëruar Perëndimin se do të përdorë armë bërthamore nëse ndihet i kërcënuar.
Gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut, lideri rus tha se megjithëse nuk po kërcënon botën me armë bërthamore, ai është i gatshëm t’i përdorë ato për të mbrojtur vendin e tij.
“Ne nuk po kërcënojmë! Por të gjithë duhet ta dinë se ne jemi të aftë të bëjmë gjithçka për të mbrojtur sovranitetin tonë.”