Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka dhënë përgjigje të qartë se a do t’i vizitojë ish-krerët e UÇK–së që aktualisht po gjykohen në Hagë nga Gjykata Speciale.
Pas homazheve në masakrën e Studimes në Vushtrri, Osmani ka deklaruar se nga ky proces pret që drejtësia të triumfojë dhe të ridëshmohet lufta e pastër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne besojmë që drejtësia sërish do të triumfojë, ashtu siç ka triumfuar edhe më parë në të gjitha instancat tjera të drejtësisë dhe besojmë se vendimi final do ta ridëshmojë për të satën herë më radhë që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, ka qenë luftë për t’i mbrojtur civilët të cilët po sulmoheshin barbarisht nga forcat gjenocidale e Serbisë”, tha Osmani.
Para gazetarëve, e para e shtetit theksoi se po bën gjithçka për t’i mbështetur Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke përmendur kontaktet me avokatët e tyre.
Sidoqoftë, ajo la të kuptohet se një vizitë e mundshme e saj do të keqpërdorej dhe të keqinterpretohej si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje e cila sipas saj, do i dëmtonte ata në gjykimin e tyre.
“Ne bëjmë gjithçka që është në duart tona që t’i mbështesim krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi në kontakt të vazhdueshëm përbrenda institucioneve edhe me avokatët e tyre, në mënyrë që çdo hap i yni të jetë hap që i ndihmon drejtësisë dhe jo hap që mund të keqpërdorej dhe të interpretohej si ndërhyrje që do t’i dëmtonte krerët e UÇK-së përgjatë këtij procesi”, tha Osmani.
Nesër bëhen një muaj që nga fillimi i gjykimit të katërshes së UÇK-së, të cilët po akuzohen për krime lufte, përfshirë vrasje, keqtrajtime dhe tortura.
Në proces, është thënë se do jenë afro 300 dëshmitarë, teksa 20 të tillë janë larguar nga Dhomat e Specializuara dje./Arbresh.info