GostivarLajme

SH.F “Goce Dellçev” nga Gostivari fiton katër çmime në garat rajonale për muzikë

Shkolla fillore “Goce Dellçev” nga Gostivari ka fituar katër çmime në garat rajonale, tre vendet e para dhe një vend të dytë në tre kategori të ndryshme. Në kategorinë e korreve të shkollave, kjo shkollë ka zënë vendin e parë, kurse me orkestrin vendin e dytë. Bastri Ristemi, arsimtarë i muzikës pranë kësaj shkolle, shprehet i kënaqur me arritjet e nxënësve të tij. Thotë se gara ka qenë e fuqishme, por me punë nuk ka si mungon suksesi.

“Kemi marrë pjesë në garat rajonale ku kemi garuar 9 komuna, mesin e atyre garuesve ishte edhe shkolla jonë ‘Goce Dellçev’. Kemi marrë pjesë me korrin dhe orkestrin e të mëdhenjëve. Me korrin zumë vendin e parë me 92 pika të grumbulluara, por për disa pikë nuk plotësuam kushtin për të vijuar me garat republikane. Me orkestrin u shfaqëm me dy vepra dhe zumë vendin e dytë me 87.5 pikë të grumbulluara. Vendi i dytë nuk kualifikohet në garat republikane, por unë jam i kënaqur me punën sepse kishim festa të shumta tani dhe sërish arritëm deri te ky nivel”, deklaron Bastri Ristemi, arsimtar i lëndës së muzikës.

Në solo këndim, dy nxënëset nga kjo shkollë, Lyra Stafai dhe Elina Zylfiqari kanë zënë vendin e parë dhe me pikët e grumbulluara, ata do ta përfaqësojnë shkollën në garat republikane.

“Solistet e shkollës Lyra Stafai dhe Elina Zylfiqari zunë vendin e parë dhe kanë tubuar nag 96 pikë secila duke u kualifikuar në garat republikane. Besoj se do jenë të suksesshme edhe atje”, deklaron Bastri Ristemi, arsimtar i lëndës së muzikës.

Ristemi thotë se te çdo nxënës mund të zbulosh ndonjë talentë të muzikës, por të arritur rezultate duhet mund dhe sakrificë.

“Këta nxënës kanë kapacitet dhe me punë dhe shumë sakrificë, arrihet. Kanë talent, por edhe kur nuk e kanë ne detyrimisht t’ua zhvillojmë veshin muzikal”, deklaron Bastri Ristemi, arsimtar i lëndës së muzikës.

Korri i shkollës “Goce Dellçev” numëron 26 nxënës, kurse orkestri përbëhet nga dy grupe me gjithsej 23 nxënës. Ndryshe, gara ka qenë online, ku pjesëmarrëse kanë qenë shkollat fillore të Gostivarit, Tetovës, Bogovinës, Tearcës, Bërvenicës, Mavrovë-Rostushës, Kërçovës dhe Dibrës.

Show More

Related Articles

Back to top button