Azerbajxhani dhe Armenia bënë përparim të rëndësishëm në adresimin e çështjeve të vështira, gjatë bisedimeve “intensive dhe konstruktive” që organizoi SHBA-ja këtë javë, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Blinken tha se pas diskutimesh dypalëshe dhe trepalëshe gjatë katër ditëve të kaluara, të dyja palët “demonstruan një angazhim të sinqertë për normalizimin e marrëdhënieve dhe përfundimin e konfliktit të gjatë mes tyre”.
Dy palët ranë dakord në parim për disa kushte dhe kanë më shumë mirëkuptim të pozicioneve të njëra-tjetrës për çështjet e pazgjidhura, tha Blinken.
Bakuja dhe Jerevani do të vazhdojnë të kenë mbështetjen dhe angazhimin e plotë të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet e tyre për të siguruar paqe të qëndrueshme, shtoi ai.
Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar dy luftëra për Nagorno Karabakun – më 1990 dhe 2020 – dhe vazhdimisht janë përplasur për kontrollin e territorit.
Tensionet janë rritur sërish muajin e kaluar, kur Azerbajxhani ka vendosur një pikë kontrolli në fillim të Korridorit të Lakinit – e vetmja rrugë që lidh Armeninë me territorin e diskutueshëm të Nagorno Karabakut.
Armenia ka thënë se pika e kontrollit, e ngritur më 23 prill, është një shkelje e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Moska, i cili u ka dhënë fund luftimeve gjashtëjavore në vitin 2020.
Azerbajxhani ka thënë se e ka ngritur atë postbllok për t’i penguar furnizimet e Nagorno Karabakut me armë nga Armenia.
Jerevani e ka mohuar këtë akuzë./rel