Ministri i Arsimit të Serbisë Branko Ruzhiq i ka dorëzuar të dielën dorëheqjen e parevokueshme kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq.
“Në heshtjen e zisë treditore kombëtare, si person i përgjegjshëm dhe i arsimuar, profesionist në kryerjen e të gjitha detyrave të mëparshme publike, si prind dhe qytetar i Republikës së Serbisë, që është gjithmonë në vendin tim të parë, dhe në përputhje me nenin 23 të Ligjit për Qeverinë, në këto rrethana kam marrë vendim racional dhe të ndershëm, po paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Ministrit të Arsimit në Qeverinë e Republikës së Serbisë”, ka thënë ai në letrën e dorëheqjes.
Më tej, Ruzhiq shton se kryeministrja serbe ka qenë në dijeni të faktit se ka ofruar dorëheqjen menjëherë në ditën kur ndodhi tragjedia.
“Në dritën e tragjedisë kataklizmike që ndodhi në vendin tonë dhe qytetarët të saj në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”, përfitoj nga rasti të shpreh edhe një herë ngushëllimet e mia më të thella për të dashurit e viktimave, engjëjt e vegjël u prefshin në paqe dhe Zoti i ndihmoftë. diçka e tillë nuk do të ndodhë më kurrë”, tha Ruzhiq.
Ai shtoi se “pamjet dramatike të ngjarjeve nga shkolla, lotët e derdhur kur u shprehin ngushëllimet prindërve të pangushëllueshëm të fëmijëve të lënduar” do t’i mbajë në shpirt për jetë.
Dorëheqja e tij erdhi pas rastit të sulmit të të riut në një shkollë të Beogradit ku vdiqën tetë nxënës dhe roja e shkollës.