I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka qëndruar për vizitë në Zvicër, ku ka takuar diplomaten Livia Leu, me të cilën ka diskutuar për ecurinë në procesin e dialogut.
Gjatë këtij takimi, Lajçak e ka vlerësuar me më rëndësi takimin e nivelit të lartë në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb.
“Presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti u takuan në Bruksel për të diskutuar një çështje vendimtare të personave të zhdukur. Jam i kënaqur që të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku për të sqaruar vendndodhjen e njerëzve që u zhdukën gjatë luftës. Ne mirëpresim miratimin e palëve të deklaratës për personat e zhdukur dhe presim që ato të bëjnë përparim në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur. Kjo jo vetëm që do t’i ndihmojë familjet e tyre të gjejnë paqe, por edhe do të avancojë normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Lajçak.
Lajçak theksoi se drafti i paraqitur nga ekipi menaxhues është pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme.
“Palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga ekipi menaxhues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e Kryenegociatorëve”, u shpreh Lajçak.
Ekipi Menaxhues për hartimin e draftit për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shkarkuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës. Drafti i parë i prezantuar është cilësuar si i papranueshëm për Kosovën nga kryeministri Albin Kurti.