Gjatë fundjavës që lame pas është promovuar libir “Kthimi në të kaluarën” i autorit Osman Demiri. Atë jemi mësuar ta shohim në sferën e fotografisë, por figura e tij poliedrike ka bërë që ai të shquhet edhe për poezi e tregime. Libri është reminishencë personale, por nuk do të thotë se lexuesi nuk e gjen veten në tregimet e tij autentike. Libri është nostalgji për të kaluarën, ku ai nëpërmjet tregimeve sjell copëza të jetës së tij.
Përmbledhje prej njëzet tregimesh nga Osman Demiri, “Kthimi në të kaluarën” është promovuar para publikut gostivaras dhe dashamirëve të fjalës së shkruar në Qendrën iCan në Gostivar. Demiri, i cili për publikun e gjerë njihet si fotograf dhe punëtor i filmit, në promovim tha se me shkrim është marrë që në rininë e hershme, por siç theksoi ai, tani është koha për të publikuar tregimet nga fëmijëria e tij të cilat janë një lloj nostalgjie për të kaluarën.
“Kjo është periudha e fëmijërisë sime, ajo që i mungon sot një të riu, një fëmijë në këtë kohë dhe hapësirë si pasojë e teknologjisë. Fëmijët e sotëm nuk dinë të luajnë, nuk luajnë në oborr, nuk kanë të njëjtën dashuri për prindërit e tyre si ne. E gjithë kjo mungesë më shtyu në të kaluarën dhe e hodha në letër”, tha Demiri.
Libri “Kthimi në të kaluarën” është një botim i pavarur dhe është recensionuar nga Sabina Darova, shkrimtare që jeton dhe vepron në Itali dhe është redaktuar nga poetja Rozafa Shpuza. Botimi i librit të parë në prozë të Osman Demirit është mbështetur nga Ministria e Kulturës. Demiri ka lindur në Kumanovë në vitin 1965 dhe për më shumë se tre dekada jeton dhe punon në Gostivar në fushën e fotografisë artistike dhe filmit. Ai është i angazhuar si profesor edhe në Universitetin e Tetovës.