Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e krahasoi Rusinë me Gjermaninë naziste, teksa propozoi zhvendosjen e festimeve të Ditës së Fitores së Luftës së Dytë Botërore më 8 maj, përmes një projektligji të paraqitur para ligjvënësve në Kiev.
Ashtu si Rusia, Ukraina tradicionalisht përkujton fitoren ndaj nazistëve më 9 maj, por kjo datë është bërë gjithnjë e më shumë e lidhur me një paradë në Moskë, e përdorur nga Kremlini për të treguar fuqinë e tij ushtarake.
“Është më 8 maj që shumica e kombeve të botës kujtojnë madhështinë e fitores ndaj nazistëve. Ne nuk do të lejojmë që të përvetësohet fitorja e përbashkët e kombeve të koalicionit anti-Hitler dhe nuk do të lejojmë gënjeshtra të llojit se ‘fitorja mund të kishte ndodhur pa pjesëmarrjen e ndonjë vendi apo kombi’“- tha Zelensky.
Duke e krahasuar pushtimin rus të Ukrainës me qëllimet ekspansioniste të Hitlerit, Zelensky tha se qëllimi i të dy regjimeve ishte i njëjtë – “skllavërim ose shkatërrim”.
Fatkeqësisht, e keqja është kthyer. “Ashtu si atëherë e keqja u vërsul në qytetet dhe fshatrat tona, kështu po bën tani, ashtu si atëherë vrau njerëzit tanë, kështu po e bën tani”- tha Zelensky.