GostivarLajmeSport

K.F “Gostivari” në Ligën e Parë / Rikthehet në ligën elitare pas një dekade

Klubi futbollistik i Gostivarit rishkruan historinë e para një dekade. Rikthehet në ligën elitare të futbollit vendor, pas një fitore bindëse me rezultat 4:0 kundër skuadrës së “Borecit”. Përballja e zhvilluar në terren vendas ndozi atmosferën në stadiumin e qytetit edhe përskaj motit me shi, nuk mungoi as spektakli që dhuruan publiku dhe tifo grupi “Kastriotët”.

Gostivari e arrinë këtë rezultat akoma pa mos u mbyllur sezoni futbollistik 2022/23 në Ligën e Dytë. Trajneri Murat Daban, në një deklaratë për televizionin Globi tha se ky rezultat është meritë e skuadrës, për çka ka falenderuar futbollistët dhe gjithë mbështetësit e tjerë.

“Pas dhjetë vitesh Gostivari sërish është në Ligën e Parë dhe ne për këtë moment kemi punuar shumë, dhe besoj se në fund kjo skuadër del te liga që e meriton. Për këtë arritje jemi shumë të lumtur. Falenderojmë gjithë qytetin, futbollistët dhe shpresoj se në ligën elitare të jemi shumë vite dhe t’I japim këtij qyteti atë që meriton”, deklaroi trajneri i K.F “Gostivari”, Murat Daban.

Ndeshje historike për qytetin e futbollit – për Gostivarin. Kështu e ka cilësuar fitoren ndaj “Borecit”, Biroll Topçiu, nga stafi teknik i K.F “Gostivari”.

“Gostivari është në Ligën e parë dhe sot ishte një ndeshje historike për Gostivarin me rrethinë. Besoj se Gostivari e ka merituar Ligën e Parë, pasi Gostivari si qytet është qytet i futbollit. Besoj se edhe në Ligën e Parë do të kemi skuadër të fortë dhe do ia arrijmë qëllimit të luajmë për suksese tjera”, deklaroi Biroll Topçiu, shef teknik i K.F “Gostivari”.

Rrugëtimi ka qenë i vështirë dhe plot sfida, thotë drejtori sportiv i K.F “Gostivari”, Muhamed Ismaili. Megjithatë, ai premton se në Ligën e Parë “Gostivari” si skuadër do të ketë rol të veçantë, dhe nuk do të lejojnë asnjë “stuhi” e re të ndal vrullin dhe potencialin që ka skuadra.

“Ishte një rrugëtim me shumë probleme, mirëpo kështu e ka futbolli, kështu e ka edhe jeta, pa sfida nuk shihen se kush janë burrat. Për këtë edhe ne kur erdhëm këtu para gjashtë muajve në krye me Enes Ustain, i cili është meritori kryesor për investimet këtu në Gostivar, nënkuptohet se ne kaluam nëpër etapa të vështira, sfida të vështira, na morën tre pikë, por ne vazhduam përpara. Ishim në vendin e tretë, mirëpo ‘Besa’ dhe ‘Voska’ ndalën ‘Vardarin’ dhe ne dolëm në vendin e dytë dhe prej aty nuk kishte më probleme. Ja sot me ‘Borecin’ ne e vërtetuam se jemi një ekip shumë kualitative dhe shpresojmë se edhe në Ligën e Parë nuk do do jemi vetëm kalimtar. Sekretari jonë Allmiri më informoi se edhe në vitin 2013-të, poashtu në këtë ditë si sot e martë, kanë kaluar në Ligën e Parë, por për shkak të financave kanë rënë nga liga. Shpresojmë tani kjo të mos ndodh dhe Gostivari të luaj një rol shumë të madh në Ligën e Parë”, deklaroi drejtori sportiv i K.F “Gostivari”, Muhamed Ismaili.

Golashënuesi më i mirë i “Gostivarit” dhe pretendenti për këtë pozitë edhe në Ligën e Dytë, kapiteni Antonio Kallanoski edhe kundër “Borecit” realizoi dy gola. Ai premton pozicion të mirë edhe në Ligën e Parë për “Gostivarin” dhe përballje edhe me skuadra futobllistike evropiane.

“Mendoj se pronari dhe ky klub meritojnë të kenë skuadër në Ligën e Parë, fillimisht për kushtet që na mundëson pronari dhe e dyta për skuadrën që ka K.F ‘Gostivari’. Mendoj nëse jo më të mirë, kjo skuadër është mesin e dy ekipeve më të mira në Ligën e Dytë dhe garantojë që edhe në Ligën e Parë do të luftojmë për disa nga pozitat kryesore. Duke pasur parasyhë faktin që e mbyllim këtë sezon pa asnjë humbje, Gostivarit nuk i mungon asgjë, por Liga e Parë është nivel më i lartë, prandaj mendoj se do të na duhen përforcime me dy apo tre futbollistë tjerë që të jemi konkurrent për të dalë në Evropë”, deklaroi Antonio Kallanoski, futbollit dhe kapiten i K.F “Gostivari”.

Dy golat e tjerë për Gostivarin në ndeshjen kundër “Borecit” i shënuan Kërstevski dhe Zuka. Deri në mbyllje të sezonit Gostivari ka edhe një ndeshje për të zhvilluar. Aktulisht mbanë pozitën e dytë në tabelë në Ligën e dytë me gjithsejt 70 pikë të grumbulluara, dy më pak se lideri “Voska Sport”. Rezultatet nga xhiroja e fundit do të përckatojnë edhe kampionin e kësaj lige. Ndërkohë, K.F “Gostivari” këtë sezon ka shënuar 22 fitore dhe 7 barazime nga 29 ndeshje të luajtura dhe pa asnjë humbje, rezultat me të cilin siguroi Ligën e Parë. Ndryshe, K.F “Gostivari” si skuadër ekziston që nga viti 1919.

Show More

Related Articles

Back to top button