Trupat ukrainase kanë njoftuar se kanë detyruar tërheqjen e një brigade të këmbësorisë ruse nga zona afër Bakhmutit, duke konfirmuar një deklaratë të fundit të liderit të grupit mercenar rus Wagner se forcat ruse janë larguar.
Moska nuk i ka komentuar raportet nga asnjëra palë se Brigada e 72-të e Motorizuar ka braktisur pozicionet e saj në periferitë jugperëndimore të Bakhmutit.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk iu përgjigj kërkesës së Reuters për koment dhe Reuters nuk mund të konfirmonte në mënyrë të pavarur situatën në terren. Një brigadë ruse zakonisht ka disa mijëra ushtarë.
Bakhmut, një qytet në lindje të Ukrainës, ka qenë objektivi kryesor i ofensivës ruse që nga dimri dhe skena e luftimeve më të përgjakshme në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Udhëheqësi i Wagner, Yevgeny Prigozhin, tha të martën se brigada ruse kishte braktisur pozicionet e saj.
“Ushtria jonë po ikën. Brigada e 72-të humbi tre kilometra katrorë këtë mëngjes, ku humbëm rreth 500 njerëz”, tha Prigozhin.
Udhëheqësi i Wagner ka akuzuar vazhdimisht forcat e armatosura ruse se nuk kanë ofruar mbështetje të mjaftueshme për ushtrinë e tij private që udhëheq luftimet në Bakhmut.
Brigada e Tretë e Ukrainës njoftoi të mërkurën mbrëma: “Është zyrtare. Raporti i Prigozhin në lidhje me arratisjen e Brigadës së 72-të ruse nga zona e Bakhmutit dhe ‘500 kufomat’ e rusëve të lënë pas, është i vërtetë. Brigada e 3-të është mirënjohëse për publicitetin e suksesit të saj në front”.
Njësia, e formuar nga Batalioni Azov, publikoi një video të mërkurën herët të një prej themeluesve të Azov, Andrei Bilecki, i cili tha se forcat e tij kishin “mposhtur” brigadën ruse.
“Në fakt, batalioni i 6-të dhe i 7-të i asaj brigade janë shkatërruar pothuajse plotësisht, është shkatërruar shërbimi informativ i brigadës, janë shkatërruar një numër i madh i automjeteve luftarake dhe një numër i konsiderueshëm i ushtarëve janë zënë rob”, tha ai.
Sulmet u kryen në një territor tre kilometra të gjerë dhe 2.6 kilometra të thellë, dhe i gjithë territori u çlirua plotësisht nga forcat pushtuese ruse.