Moska ka kërcënuar Lituaninë, anëtare të BE-së dhe NATO-s, duke thënë se do të marrë masa për të mbrojtur interesat e saj kombëtare, nëse tranziti i mallrave në enklavën ruse të Kaliningradit nuk rikthehet me shpejtësi.
Autoritetet lituaneze kanë ndaluar lëvizjen e mallrave të cilat janë të sanksionuara nga Bashkimi Evropian në të gjithë territorin e saj, që përfshin të vetmen rrugë hekurudhore midis Rusisë kontinentale dhe provincës e cila është e vendosur midis Polonisë dhe Lituanisë.
Mallrat e ndaluara përfshijnë qymyrin, metalet, materialet e ndërtimit dhe teknologjinë e avancuar.
Ministria e Jashtme e Rusisë ka thirrur të dërguarin e lartë të Lituanisë në Moskë, ndërsa Kremlini tha se situata ishte një “shkelje e gjithçkaje”.
“Situata është më se serioz. Ky vendim është vërtet i paprecedentë. Është një shkelje e gjithçkaje”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ministria e Jashtme e Rusisë kërkoi që Lituania të anulojë menjëherë atë që e quajti një veprim “haptë armiqësor”.
“Nëse tranziti i ngarkesave ndërmjet rajonit të Kaliningradit dhe pjesës tjetër të Federatës Ruse nëpërmjet Lituanisë nuk rikthehet plotësisht në të ardhmen e afërt, atëherë Rusia rezervon të drejtën të ndërmarrë veprime për të mbrojtur interesat e saj kombëtare”, tha ministria.
Lituania tha se thjesht po zbatonte sanksionet e BE-së, pjesë e një sërë masash që synonin të ndëshkonin presidentin rus Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës.
“Nuk po bën asgjë Lituania: janë sanksionet evropiane që filluan të funksionojnë nga 17 qershori. Kjo është bërë me konsultim nga Komisioni Evropian dhe sipas udhëzimeve të Komisionit Evropian. Hekurudha shtetërore e Lituanisë informoi klientët se nga 17 qershori mallrat e sanksionuara si çeliku dhe hekuri nuk do të lejohen të kalojnë Lituaninë”, u tha gazetarëve në Luksemburg ministri i jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis./21Media/