Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe drejtorja e përgjithshme për Tregun e Brendshëm të Bashkimit Evropian, Industrinë, Ndërmarrësinë dhe Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme (DG GROW), Kerstin Jorna, në ambientet e Komisionit Evropian në Bruksel kanë nënshkruar marrëveshjen për përfshirjen e Republikës së Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët”.
Pjesëmarrja në programin e BE-së “Tregu i Përbashkët” për Kosovën është një hap shumë i rëndësishëm drejt procesit të integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian, thuhet në komunikatën e MINT-it.
Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetës që posedon Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar.
Kjo do të thotë se bizneset dhe organizatat e Kosovës mund të ndërveprojnë me bizneset dhe organizatat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve jo anëtare, që janë pjesëmarrëse të pjesshme ose të plota në këtë program.
“Programi “Tregu i Përbashkët” do të mbështesë sektorët e sipërpërmendur me një buxhet prej 4.2 miliardë euro për periudhën kohore 2021-2027, e që nga tani bizneset dhe organizatat vendore mund të përfitojnë nga ky program”, thuhet në komunikatë.
Në lidhje me mënyrën e aplikimit dhe përfitimit nga ky program bizneset dhe organizatat vendore do të njoftohen me kohë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë./Arbresh.info