GostivarLajme

Gostivar, 150 fëmijë janë vaksinuar në kuadër të fushatës “Derë më derë”

150 fëmijë deri më tani janë vaksinuar në komunën e Gostivarit dhe të Vrapçishtit për vaksinime rutinore të humbura dhe me qindra broshura informative janë shpërndarë si pjesë e fushatës së përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë “Derë më derë” në këto dy komuna brenda dy javëve. Televizioni Globi shoqëroi njërin nga katër ekipet e përbëra nga profesionistë shëndetësor nga Shtëpia e Shëndetit në Gostivar, i cili sot vizitoi një lagje rome në rrugën e “Balindollit”. Koordinatorja e vaksinimit në Gostivar, mjekja Dafina Bogdanovska shprehet e kënaqur me mënyrën se si ka rrjedhur deri më tani puna në terren.

“Deri më tani mund të them se kemi pasur sukses. Disa kanë harruar, disa i rikujtojmë ne, dhe mund të them se prej 50 deri 70 fëmijë që janë vonuar me vakisnimin, i kemi njoftuar përmes vizitave tona dhe përmes telefonit. Dua të theksoj se vizita apo rikujtimi ynë do të vazhdojë deri në fund të këtij muaji, duke kryer vizita periodike në rajonet e Gostivarit dhe fshatrat. Dua të potencojë se ne nuk duhet edhe t’i rikujtojmë, pasi vaksinimi është linja e parë mbrojtëse nga sëmundjet ngjitëse dhe prandaj them se duhet të vaksinohen edhe fëmijët edhe të rriturit”, deklaron koordinatorja e vaksinimit në Gostivar, mjekja Dafina Bogdanovska.

Fushata filloi më 24 prill të vitit 2023 si pjesë e Javës Evropiane të Imunizimit dhe do të zgjasë deri në fund të këtij muaji. Katër ekipet në Gostivar me rrethinë deri më tani kanë arritur të vaksinojnë 150 fëmijë nga mosha zero deri në 18 vjeç. Ata do të duhet të vizitojnë 200 familje deri në mbyllje të fushatës. Mjekja Bogdanovska rikujtoi se me këtë fushatë përfshihet edhe vaksinimi i popullatës së rritur me vaksinat kundër Covid – 19.

“Kemi të vaksinuar rreth 150 fëmijë dhe kjo shifër është arritur me punën tonë të përditshme, me vizitat në terren dhe vizitat e pikave të cilat përfshijnë fshatrat e Gostivarit dhe komunës së Vrapçishtit. Të kujtoj se edhe vakisnimi kundër kovidit vazhdon me dozën e dytë, tretë dhe të katërt”, deklaron koordinatorja e vaksinimit në Gostivar, mjekja Dafina Bogdanovska.

Qëllimi i këtyre vizitave është ndërgjegjësimi për vaksinim të rregullt te fëmijët me vaksinat MPR kundër fruthit, HPV dhe të rriturit kundër kovidit. Ndryshe, të gjitha vaskinat te fëmijët parashkollor dhe ato që shkojnë në shkollë, janë obligative. Nëse prindi rrefuzon pa një arsye të fortë për të vaksinuar fëmijën e vet, mund të gjobitet por edhe t’i mohohet e drejta për regjistrim të fëmijëve në çerdhe apo në shkollë. Imunizimi është falas dhe mund të kryhet edhe te ata fëmijë që nuk kanë librezë shënetësore apo edhe dokumente personale.

Show More

Related Articles

Back to top button