LajmeRajon

Lajçak: I shqetësuar nga ato që dëgjova në veri, të shmanget çdo mundësi eskalimi

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deklaroi se është i shqetësuar me ato që i ka dëgjuar të enjten, në takim me përfaqësues serbë në veri të vendit.

Ai shkroi në Twitter në mbrëmje, se ishte e rëndësishme vizita e tij në veri për të marrë njohuri mbi situatën aktuale. Lajçak tha se duhet të shmanget çdo mundësi eskalimi “dhe të përqëndrohemi plotësisht te normalizimi”.

“Ishte e rëndësishme për mua të vizioja sërish veriun e Kosovës dhe të bisedoja me bashkëbisedues të ndryshëm, që t’i fitoja përshtypjet e parë të drejtëpërdrejta mbi situatën aktuale. Ajo që dëgjova ishte shqetësuese për mua. Duhet të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të përqëndrohemi tërësisht te normalizimi”, shkroi Lajçak.

Lajçak ka deklaruar gjatë vizitës në veri se vendimi për hapjen e Urës së Ibrit duhet të merret në dialog.

Ndërsa, Lista Serbe është shprehur në një reagim se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

I dërguari i Bashkimit Evropian të enjten është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa të premten udhëton për në Beograd, ku do të takohet me presidentin Aleksandar Vuçiq.

Show More

Related Articles

Back to top button