Sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland, është shpallur futbollisti i vitit nga gazetarët anglezë për sezonin 2022-2023. Sensacioni norvegjez Haaland ka shijuar një sezon debutues historik te City, duke regjistruar 51 gola në të gjitha garat.
Prej tyre, 35 kanë ardhur në Premierligë, një rekord i ri për një sezon të vetëm në krye. FWA-ja ka thënë në faqen zyrtare të organizatës: “Haaland fitoi me një diferencë të madhe pas sezonit të tij të bujshëm debutues në Angli, duke shënuar 51 gola deri më tani për Manchester Cityn, pasi synojnë një trefishtë të shquar. Për njëfarë kohe ai ishte në garë me Bukayo Sakan në votimin mes rreth 800 anëtarëve tanë, por përfundimisht fitoi me një pjesë dërrmuese”.
Haalandi fitoi çmimin për meshkuj me 82 për qind të votave – më i madhi që nga fillimi i epokës së Premierligës.
Kapiteni i Arsenalit, Martin Odegaard, doli i treti në sondazhin e meshkujve, me mesfushorin e Cityt, Kevin De Bruyne i katërti dhe sulmuesi i Manchester Unitedit, Marcus Rashford i pesti.
Haalandi do të marrë çmimin e tij në një darkë speciale për Futbollistin e Vitit më 25 maj, e cila do të shënojë 75-vjetorin e çmimit të parë që iu nda Sir Stanley Matthews në vitin 1948.