LajmeRajon

Masakrat në Serbi, qytetarët dhe opozita kërkojnë dorëheqjen e qeverisë

Disa dhjetëra mijëra persona marshuan të premten pasdite në Beograd kundër masakrave të javës së kaluar në vend, që lanë pas 17 të vdekur, përfshirë shumë fëmijë.

Protestuesit bllokuan urën kryesore dhe një autostradë që kalon përmes kryeqytetit serb, duke bërë thirrje për dorëheqjen e një numri zyrtarësh, përfshirë ministrin e Brendshëm dhe shefin e agjencisë serbe të inteligjencës.

Partitë e opozitës kanë akuzuar qeverinë populiste të presidentit Aleksandar Vuçiç se ka nxitur ekstremizmin dhe fjalimet e urrejtjes.

Për këtë arsye, ato dhe mbështetësit e nisën protestën përpara selisë së Parlamentit, përpara se të zhvendoseshin në urën “Gazela”.

Javën e kaluar, Serbia u trondit nga dy masakra të njëpasnjëshme. E para ndodhi në një shkollë, ku një nxënës i armatosur hapi zjarr ndaj shokëve të klasës duke vrarë 8 prej tyre, plus një roje sigurie.

Ndërsa dy ditë më vonë, një person qëlloi ndaj banorëve të një fshati duke vrarë 8 persona të tjerë.

Ngjarjet detyruan autoritetet serbe të organizojnë një fushatë për dorëzimin e armëve, duke premtuar se kush e dorëzon në mënyrë vullnetare nuk do të përballet me pasoja penale.

Show More

Related Articles

Back to top button