Franca ka premtuar se do të dërgojë dhjetëra tanke të tjera të lehta dhe automjete të blinduara në Ukrainë dhe të sigurojë trajnimin e nevojshëm për ushtarët e vendit për t’i përdorur ato në mënyrë efektive.
Njoftimi erdhi pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, fluturoi në Francë të dielën vonë për t’u takuar me presidentin francez, Emmanuel Macron për një darkë pune në Pallatin Elysee në Paris.
Volodymyr Zelensky i Ukrainës dhe Emmanuel Macron i Francës u takuan përreth tre orë në Pallatin presidencial francez Elysee – një takim që u mbajt i fshehtë deri pak para mbërritjes së liderit ukrainas në Paris nga Gjermania, me një avion të qeverisë franceze.
Ndihma ushtarake për Ukrainën ishte një nga pikat kryesore të agjendës së takimit mes liderëve.
Franca synon të trajnojë rreth 2 mijë ushtarë ukrainas në Francë këtë vit dhe gati 4 mijë të tjerë në Poloni si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë evropiane për t’i dhënë ndihmë Ukrainës, tha zyra e Macron.
Në një deklaratë, Franca e përshkroi mbështetjen e saj për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës si “të palëkundur” dhe premtoi se ndihma e saj politike, ekonomike, humanitare dhe ushtarake do të vazhdojë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Parisi gjithashtu do të përqendrojë përpjekjet e tij “në mbështetjen e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore të Ukrainës në mënyrë që të mbrojë popullsinë e saj kundër sulmeve ruse”.
Deklarata paralajmëroi gjithashtu për sanksione të shtuara, raporton Al Jazeera.
“Ukraina dhe Franca bien dakord për nevojën për të rritur presionin kolektiv mbi Rusinë përmes sanksioneve të mëtejshme për të dobësuar aftësinë e Rusisë për të vazhduar luftën e saj të paligjshme të agresionit.”
Në Paris, Macron ripohoi se Franca do të vazhdojë të ofrojë mbështetje politike, financiare, humanitare dhe ushtarake për Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, thuhet në deklaratë.
Një burim në presidencën franceze u tha gazetarëve se sisteme shtesë, më moderne të mbrojtjes do të viheshin në dispozicion të Ukrainës.
Franca e ka furnizuar Ukrainën me një sërë armatimesh, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore, tanke të lehta, armë të tjera, pajisje dhe karburante.
Franca dërgoi një aeroplan për të marrë Zelenskyn në Gjermani, prej ku ai u takua me kancelarin Olaf Scholz më herët të dielën dhe diskutoi kundërsulmin e planifikuar të vendit të tij. Zelensky tha se synon të çlirojë zonat e pushtuara nga Rusia brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës dhe jo të sulmojë territorin rus.
Ndër zonat e pushtuara ende nga Rusia janë gadishulli i Krimesë dhe pjesë të Ukrainës lindore, me popullsi kryesisht rusishtfolëse.