LajmeRajon

Lajçak zhvillon takime të ndara me kryenegociatorët

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka vazhduar të hënën në Bruksel, me takime të ndara të kryenegociatorëve të të dyja shteteve me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Lajçak ka zhvilluar një takim bilateral me delegacionin serb, të kryesuar nga kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, shkruan REL.

Më pas, ai ka zhvilluar një takim dypalësh edhe me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bisimi.

Pas takimeve të ndara, pritet të nisë edhe takimi i përbashkët.

Fokusi i takimeve është zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të saj.

Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Pritet që në takimin e 15 majit të vazhdohen diskutimet për këto çështje, por të bisedohet edhe për situatën aktuale në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit.

I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, në prag të takimit në Bruksel, kishte shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi.

Show More

Related Articles

Back to top button