Bashkimi Evropian e konsideron fitore të madhe pjesëmarrjen masive në zgjedhjet në Turqi. Sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, Turqia është partner i rëndësishëm dhe rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve priten me vëmendje.
“Pjesëmarrja e madhe në këto zgjedhje është lajm shumë i mirë. Është mirë sepse është sinjal i qartë se populli turk është i përkushtuar për të ushtruar të drejtën e tij demokratike për të dalë e për të votuar dhe për të vlerësuar institucionet demokratike. Kjo është fitorja e madhe e djeshme. Tani zgjedhjet po vazhdojnë dhe do të shohim se çfarë do të sjellë raundi i dytë”, tha Ursula von der Lejen – kryetare e KE-së.
Një reagim fillestar erdhi nga presidenti amerikan Xho Bajden. Më herët, një pjesë e koalicionit qeverisës turk rreth Erdoganit akuzoi se kandidati i opozitës Kemal Kilicdaroglu bashkëpunon me Perëndimin. Kur Biden u pyet se si e komentoi faktin që media shtetërore shpalli fitoren e Erdoganit dhe opozita tha se fitoi, presidenti amerikan u përgjigj shkurt:
“Tingëllon e njohur, apo jo?” Shiko, thjesht shpresoj që të ketë fitues. Ka shumë probleme në atë pjesë të botës pa ndodhur kjo”, deklaroi Xho Biden – president i SHBA.
Nga ana tjetër, kampi i Kilicdaroglu gjatë fushatës akuzoi se ka ndikim rus në procesin zgjedhor në favor të Erdoganit. Kremlini theksoi sot se presin thellimin e marrëdhënieve me Turqinë në të ardhmen.
“Turqia është demokraci e pjekur, vend solid dhe sovran, i cili, natyrisht, mund të realizojë zgjedhje transparente demokratike dhe të parandalojë aktivitetet e paligjshme. Nuk kemi asnjë dyshim për këtë”, u shpreh Dmitri Peskov – Zëdhënës i Kremlinit.
Ndryshe, në zgjedhjet e djeshme të drejtë vote kishin mbi 65 milionë qytetarë, nga të cilët 3.4 milionë në Diasporë. Sipas të dhënave të fundit jo të plota, fitues në Maqedoni është kandidati i opozitës Kemal Kiliçdaroglu me 52,84 për qind ndaj Rexhep Tajip Erdogan me mbështetjen e 35,8 për qind të votuesve. Në vendet e rajonit kandidati i opozitës fitoi edhe në Shqipëri, Serbi, Greqi dhe Bullgari kurse Erdogani ka më shumë vota vetëm në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë. /Alsat.mk